RTSH Sport Live

Federata Gjermane e Futbollit feston 125-vjetorin, i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Duka

  • 25/01/2025
  • |
  • Të tjera
Federata Gjermane e Futbollit feston 125-vjetorin, i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Duka
Ceremonia u mbajt në Leipzig ku morën pjesë personalitete të shumta nga futbolli europian dhe botëror.

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) festoi mbrëmjen e së premtes 125-vjetorin e themelimit. Ceremonia u mbajt në Leipzig në një Mbrëmje Gala madhështore, ku morën pjesë personalitete të shumta nga futbolli europian dhe botëror.

Mes të ftuarve ishte edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili i shprehu urimet më të përzemërta homologut të tij, Presidentit të DFB-së, Bernd Neuendorf, për këtë jubile të rëndësishëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti Duka e uroi edhe një herë DFB-në për këtë përvjetor, duke vlerësuar rolin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në zhvillimin e futbollit ndërkombëtar.

“Urime të përzemërta Federatës Gjermane të Futbollit për 125-vjetorin e themelimit!

Pata kënaqësinë të marr pjesë në festimet e këtij përvjetori historik, ku u nderua tradita dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Federatës Gjermane për zhvillimin e futbollit.

Një urim i veçantë për Presidentin Bernd Neuendorf dhe të gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe vizionin për të ardhmen. Jam i bindur se Federata Gjermane do të vazhdojë të jetë një shembull frymëzues për komunitetin ndërkombëtar të futbollit.

Suksese të mëtejshme në vitet që vijnë!” – shkruan Presidenti Duka.