RTSH Sport Live

FIFA dënon Kombëtaren: një ndeshje pa tifozë dhe 150 mijë franga gjobë

  • 22/10/2021
  • |
  • Kombëtarja
FIFA dënon Kombëtaren: një ndeshje pa tifozë dhe 150 mijë franga gjobë
Incidentet në ndeshjen e kuqezinjve përballë Polonisë në “Air Albania”, vjen vendimi i FIFA-s

FIFA ka dhënë vendimin për incidentet e ndodhura në ndeshjen Shqipëri-Poloni, që solli në një moment dhe ndërprerjen e sfidës. Në vendimin e saj, FIFA ka saktësuar: 150 mijë franga gjobë si dhe një ndeshje pa tifozë, e cila do të jetë ajo me Andorrën më 15 nëntor.

Njoftimi i FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit është njohur mbrëmjen e sotme me vendimin e marrë nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s, në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Shqipëri-Poloni, e luajtur më datë 12 tetor 2021 në Air Albania Stadium.

Vendimi i sotëm ndëshkon Federatën e Futbollit me një gjobë prej 150 mijë frangash dhe detyron që të luajë ndeshjen e fundit eliminatore për Kampionatin Botëror “Katar 2022” pa praninë e tifozëve.

FSHF shpreh keqardhjen për këtë vendim të marrë dhe do të ndërmarë të gjithë masat e nevojshme që situata të tilla, të shkaktuara nga disa individë, mos të ndodhin më në të ardhmen dhe të mos dëmtojnë Kombëtaren tonë në paraqitjen e tyre ndërkombëtare.

Federata do të vlerësojë mundësitë për ankimimin e vendimit brenda afateve të parashikuara.