Kanë përfunduar ndeshjet e javës së 22-të të Kategorisë së Parë. Flamurtari ka fituar 3-1 përballjen direkte ndaj Besës dhe ka hedhur një hap të madh drejt ngjitjes direkte në Abissnet Superiore. Sfida e transmetuar në RTSH Sport ka qenë e bukur dhe e luftuar, por në fund janë vlonjatët ata që festojnë dhe pas këtij suksesi çojnë në 9 pikë diferencën me kavajasit.
Vora vazhdon marshimin drejt Abissnet Superiores. Djemtë e Bellait mposhtin me rezultatin e thellë 5-1 Erzenin e vendit të fundit dhe ngjiten në kuotën e 54 pikëve në tabelën e klasifikimit. Falë humbjes së Besës në Vlorë diferenca me vendin e tretë ka shkuar në 11 pikë dhe tashmë duket se ngjitja historikë në elitë është vetëm çështje kohe.
Në takimet e tjera Lushnja ka fituar 4-2 në transfertë përballë Valbonës, ndërsa Burreli ka fituar 3-0 në “Kukës Arena” përballë skuadrës vendase. Korabi mposht 2-1 Kastriotin, ndërsa sfida mes Apolonisë dhe Pogradecit mbyllet në barazim pa gola 0-0.