RTSH Sport Live

Flamurtari, starti me fitore

  • 09/11/2022
  • |
  • Basketboll
Flamurtari, starti me fitore
Vlonjatet mundin Bashkimin e Prizrenit, Tirana fiton me Prishtinën në Ligën Unike

Liga Unike “Shqipëri-Kosovë” ka ngritur siparin për sezonin 2022-2023 në edicionin e saj të dytë në basketboll për femra. Flamurtari, që vinte me petkun e fitueses së Superkupës Mbarëkombëtare, të martën në mbrëmje në Pallatin e Sportit në Vlorë ka patur përballë Bashkimin e Prizrenit. Një ndeshje e cila ka shkuar në favor të skuadrës vlonjate, që në fund ka fiksuar shifrat, 82-70. Perioda e parë ishte më e ekuilibruar dhe më e rivalizuar pas së cilës Flamurtari ka fituar 18-15. Flamurtari shpërthen në periodën e dytë dhe në pushim ka kryesuar 42-33. Edhe në pjesën e dytë Flamurtari i Elona Hasanajt dominon dhe në fund fiton 82-70. Tashmë Flamurtari mendon për kampionatin, ndërsa më fundjavë do të ketë përballë Tiranën.

“Ne me këtë ekip – thotë Hasanaj – jemi ndeshur dhe dhjetë ditë më parë, teksa ishte një ndeshje rivalësh. Dhe ta nisësh Ligën Unike me këtë ekip është shumë e rëndësishme e për më tepër me fitore”.

Trajneri i Bashkimit të Prizrenit, Viktor Kovaç, ka pranuar se Flamurtari ka një skuadër cilësore.

 “Flamurtari, të paktën për këto momente, është skuadër e mirë. E tillë ishte kur luajtëm finalen e Superkupës në Prizreni, por e tillë u shfaq dhe në Vlorë. Me një kundërshtar të tillë, teksa ne luajtëm pa një qendër, gjithnjë ka probleme. Sepse luan me dy qendra shumë të forta dhe tentativat tona për gjuajtje për tre pikë nuk shkuan siç duhet dhe kjo është mangësi për një lojë serioze”.

Ndërkohë kënaqësinë e fitores së Flamurtarit e ka shprehur dhe Sofia Jakobson.

"Jemi një skuadër shumë e mirë dhe kjo ndeshje e mrekullueshme nuk do të ishte e mundur pa gjithë skuadrën. Ndihem shumë mirë dhe mendoj se mund t’i fitojmë të gjitha ndeshje".

Sakaq Tirana ka mundur Prishtinën, 93-88, kurse Partizani është në transfertën e Pejës.