RTSH Sport Live

Flamurtari zyrtarizon trajnerin e ri

  • 01/02/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Flamurtari zyrtarizon trajnerin e ri
Eqerem Memushaj do të ndihmohet nga Edmond Liçaj në stolin vlonjat

Nuk ka zgjatur shumë dhe stoli i Flamurtarit ka tashmë një timonier të ri, pasi presidenti Sinan Idrizi ia besuara skuadrën një dysheje të njohur që ka drejtuar edhe më parë vlonjatet. Në vijim të sezonit, skuadra kuqezi do të drejtohet nga dy emra që e kanë drejtuar edhe më parë, Eqerem Memushaj dhe Edmond Liçaj. Pasi shkarkoi Dritan Resulin nga stoli i vlonjat, presidenti Idrizi ka shqyrtuar alternativat e mundshme dhe në fund u ka besuar emrave që njohin shumë mirë klubin.

Eqerem Memushi e ka drejtuar skuadrën si trajner në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009. Ai e njeh mjaft mirë ambientin në Vlorë dhe së fundi është parë shpeshherë edhe në stadium. Ka një përvojë të konsiderueshme si trajner, sidomos në Kategorinë e Parë, pasi më parë ka drejtuar shumë skuadra si Bylisi, Tomori, Apolonia, Naftëtari, Vora dhe Orikumi. Edmond Liçaj ka qenë trajner i Flamurtarit në kohën kur klubi drejtohej nga Shpëtim Gjika.

Por ka bashkëpunuar edhe me Sinan Idrizin teksa disa vite më parë kishte rolin e drejtorit në klub. Sfida e parë për Memushajn dhe Liçajn në stolin kuqezi është vizita e vështirë që do t’i bëjnë më 4 shkurt AF Elbasanit, që ndan vendin e parë dhe të dytë me Bylisin kryesues, me nga 42 pikë, ndërsa Flamurtari mban vendin e 4-t, me 10 pikë më pak.