Edhe Formula 1 ushtron presion mbi Christian Hornerin dhe Red Bullin. Drejtuesit e këtij sporti i kanë dërguar një shënim ekipit të Milton Keynes me anë të të cilit i kërkojnë që ata duhet të zgjidhin sa më shpejt hetimin ndaj drejtorit të skuadrës, Christian Hornerit.
Rasti është i njohur, Horneri akuzohet për sjellje të pahijshme ndaj një punonjëseje të vetë skuadrës. Kompania mëmë e Red Bullit, ka caktuar një avokat të jashtëm për të marrë përgjegjësinë e hetimit. Javën e kaluar Horner pati një intervistë tetë-orëshe me këtë avokat në Londër.
Por një ditë pas prezantimit të makinës së re, De Telegraaf publikoi zbulime të reja sipas të cilave Horner i kishte dërguar rregullisht punonjëses mesazhe me përmbajtje të ndaluara seksuale, për një periudhë të konsiderueshme kohore. Vetë drejtori i ekipit ka bërë gjithçka për të fshehur rastin.
Madje avokatët e Hornerit i kanë ofruar të paktën 760 mijë euro avokatëve të punonjëses për të mos dalë lajmi dhe për të shmangur skandalin. Në këto kushte ka ardhur ndërhyrja e drejtuesve të Formula 1, para testeve parasezonale të planifikuara për t’u bërë të mërkurën në Bahrein.
"Ne kemi vërejtur se Red Bull ka nisur një hetim të pavarur mbi ngjarjet e ndodhura brenda Red Bullit. Shpresojmë që çështja të sqarohet sa më shpejt të jetë e mundur, pas një procesi të drejtë dhe të plotë. F1 nuk ka koment të mëtejshëm tani për tani”, thuhej në deklaratë.