RTSH Sport Live

Franca, Kampione Europe U-17

  • 26/05/2023
  • |
  • Futboll Bota
Franca, Kampione Europe U-17
Vajzat blu thyejnë mitin e trofeve të Spanjës dhe meritojnë suksesin në Talin

Franca është kampione për herë të parë në futbollin e femrave për moshën deri në 17 vjeç, teksa në finale në Talin të Estonisë, e cila erdhi drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, mundi Spanjën 3-2. Pas një pjese të parë të kontrolluar nga iberiket, atje ku Pau, apo dhe Viki Lopes nuk i shfrytëzuan mundësitë e tyre, Franca, që është treguar e duruar, ka ditur të godasë. Në një goditje këndi për Spanjë, kjo në të 64’, Zhozef ndërton kundërsulmin për Francën dhe e vetme me Estensoron gjen golin e parë. E njëjta lojtare pas dhjetë minutash gjen dhe golin e dytë, teksa ka shfrytëzuar hapësirat në një mbrojtje të çalë të Spanjës dhe një mefshtësie të portieres Estensoro. E si goditje finale vjen njëmbëdhjetëmetërshi për Francën, që në të 78’ e kthen në gol Melin Mendi.

Duket si histori e mbaruar, por nuk është e këtij mendimi Viki Lopez. Brenda një minute e njëjta lojtare shënon dy herë nga distanca prej rreth 20 metrash dhe në të 80’ shifrat janë 3-2 për Francën. Spanja mundohet, por gjërat vështirësohen kur Aisha e lë skuadrën iberike me dhjetë futbollistë. Përfundimisht 3-2 për Francën, që i gëzohet titullit të parë Kampion Europe për moshën deri në 17 vjeç, ndërsa nis të bie miti i Spanjës me trofetë pafund në futbollin e vajzave.

Për t’u nënvizuar dhe prania e Emanuela Rustës, që ishte gjyqtare e katërt në këtë finale, ndërsa në këtë Europian ka arbitruar dy herë si kryesore dhe tre herë si arbitre e katërt.