RTSH Sport Live

Franca, poker golash me Shqipërinë U-17

  • 22/03/2023
  • |
  • Kombëtarja
Franca, poker golash me Shqipërinë U-17
Elite Round nis me humbje për kuqezinjtë, kthesa pritet ndaj Zvicrës dhe Letonisë

Franca e nis me poker golash fazën e Elite Round të Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç. Pikërisht në Arenën Kombëtare, në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Franca ka mundur 4-0 Shqipërinë e trajnerit Ervin Bulku. Bëhet fjalë për grupin e 8-të të fazës Elite Round prej së cilës shkohet në finalet e Kampionatit Europian, që do të zhvillohen në Hungari.

“Gjelat” tregon cinikë, ndërsa në harkun kohor të tre minutave në pjesën e parë shënojnë dy herë në portën e mbrojtur nga Dervishi. Fillimisht Mepje në të 26’ dhe më pas Isufu në të 29’, ndërsa kuqezinjtë nuk dalin asnjëherë në lojën e tyre. Përkundrazi detyrohen që të frenojnë me faulla veprimet teknike të francezëve pasojë e së cilës janë dhe katër kartonët e verdhë të dhënë nga gjyqtari për Bastari, Bakiu, Jaku e Marinaj. Francezët fitojnë penallti në të 68’, të cilën e kthen në gol Buneb, kurse në të 85’ vulos suksesin e tyre Lamburd.

Franca rikthehet në fushën e lojës të shtunën në ora 11:30, ndërsa do të ketë përballë Letoninë, kurse Shqipëria, më 25 mars, në ora 17:00 do të ndeshet me Zvicrën. Faza Elite Round përfundon më 28 mars.