Marrëveshja për mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve në futboll është një tjetër gur i vendosur në rrugën e projekteve për mbështetjen e të rinjve në futbollin shqiptar. Në ambjentet e FSHF, institucioni qëndror i futbollit shqiptar dhe “Terre des hommes” nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit që mbështet politikat e mbrojtjes së fëmijëve në futboll dhe kodin e etikës.
Kjo marrëveshje është në përputhje me inisiativën e UEFA-s për të zhvilluar politikat e mbrojtjes së fëmijëve në nivel kombëtar për secilin nga 55 anëtarët e saj. Terre des hommes Shqipëri me eksperiencën 30 vjeçare në vend në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, do të ofrojë të gjithë konsulencën e nevojshme dhe programe trajnimi për të krijuar një hapësirë të sigurtë për fëmijët dhe të rinjtë në botën e futbollit.
Krijimi i një klime të sigurtë për fëmijët dhe të rinjtë në futboll është angazhimi dhe objektivi kryesor i kësaj inisiative që do të përqendrohet kryesisht te ofrimi i konsulencës dhe programeve trajnuese për zhvillimin profesional të stafit të FSHF. Sipas federatës, kjo marrëveshje përputhet me nevojat dhe objektivat që institucioni ka në strategjinë Futbolli për Kombin 2022-2025 me fokus kryesor rritjen e sportit në nivelet e fëmijëve në mbarë vendin.