RTSH Sport Live

Futbolli i Sallës/Shqipëria, tjetër humbje ndaj Kroacisë

  • 07/04/2021
  • |
  • Kombëtarja
Futbolli i Sallës/Shqipëria, tjetër humbje ndaj Kroacisë
Kuqezinjtë mbyllin fushatën e kualifikueseve të dielën në transfertë ndaj Ukrainës

Shqipëria në futbollin e sallës ka pësuar humbjen e katërt në raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian, “Holandë 2022”. Gjithçka ka ndodhur pasditen e së mërkurës në sallën olimpike “Feti Borova”, ndërsa Kroacia, tashmë e kualifikuar për në finalet e Europianit, ka fiksuar fitoren e pestë radhazi.

3-0 në fund të 40 minutave, ndërsa kroatët, falë dhe përvojës, kanë ditur të godasin atëherë kur duhej. Në të 10’ kalon Marinoviç, Kroacinë në avantazh. Kuqezinjtë nuk e humbasin toruan, por sulmojnë, ndërsa të paktën në tre raste kanë qenë pranë golit të barazimit. Selmanaj godet shtyllën e majtë pingule në të 13’ e më pas frenohet nga pritja e Luketinës. Pjesa e parë përfundon 1-0.

Në pjesën e dytë, në momentin që është dëmtuar Kardozo Da Silva, Kroacia shënon dy herë brenda një minute. Fillimisht me Periç në të 28’ dhe më pas me Sekuliç në të 29’. E përtej përpjekjeve të Shqipërisë për të gjetur golin e nderit në vërshëllimën e fundit të dyshes qipriote Jiangou dhe Kozakos gjithçka mbeti në shifrat 3-0 për Kroacinë.

Ndeshja e fundit kualifikuese e raundit të dytë të Kampionatit Europian “Holandë 2022” për Shqipërinë do të jetë transferta në Zaporozhje të Ukrainës të dielën e 11 prillit duke nisur nga ora 19:00.