RTSH Sport Live

Gerti Shima, Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH

  • 08/09/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Gerti Shima, Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH
Komiteti Ekzekutiv miraton propozimin e presidentit Ylli për ish-basketbollistin e Tiranës

Nga basketbollit tek basketbolli, teksa sekretari i ri i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar vjen pikërisht nga loja e koshit. Gerti Shima tanimë do të mbajë rolin e sekretarit të përgjithshëm duke zëvendësuar kështu Stavri Bellon, që e mbajti këtë pozicion për më shumë se sa dy dekada. Të paktën sipas njoftimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar shpërndarë në rrjetet sociale, Komiteti Ekzekutiv ka miratuar propozimin e presidentit Fidel Ylli për emërimin e Gerti Shimës në rolin e sekretarit të përgjithshëm të institucionit më të lartë të olimpizmit shqiptar.

Shima e mori të mërkurën zyrtarisht detyrën e sekretarit të përgjithshëm të KOKSH, ndërsa është prezantuar edhe me anëtarë të tjerë të stafit të këtij institucioni. Gerti Shima deri në sezonin e kaluar ka luajtur tek Tirana, pa harruar që kontributet e tij kanë qenë edhe në kampionatin kosovar, apo atë kroat. E mbi të gjitha edhe në kombëtaren e meshkujve, të paktën deri në ndeshjet e fundit, teksa ishte dhe kapiten i kësaj skuadre. Një figurë e qënësishme e sportit në vend, që e bën më të fortë institucionin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në ekzekutiv.