RTSH Sport Live

Gjimnastrada, dritarja e shpresës për fëmijët

  • 03/06/2021
  • |
  • Evente Sportive
Gjimnastrada, dritarja e shpresës për fëmijët
Aktiviteti, që do të zhvillohet në Amfiteatrin e Tiranës, do të vijë në RTSH Sport

Gjimnastrada është aktiviteti sportiv, i cili të premten do të vijë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, pikërisht në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 17:00. Një aktivitet, i cili do të zhvillohet në Amfiteatrin e Tiranës tek Kodrat e Liqenit, dhe që vjen në 25-vjetorin e themelimit të Federatës Shqiptare të Gjimnastradës. “Eja..mblidhuni këtu”, ky është titulli i spektaklit artistiko-sportiv, i cili do të sjellë në garë fëmijët e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës.

Por jo vetëm, sepse në këtë spektakël artistiko-sportiv, i cili vjen dhe në festën e fëmijëve, do të marrin pjesë dhe Qendrat Kulturore të Fëmijëve. Kështu do të perfomojnë Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, International Dans Akademi Albania, apo dhe fëmijë nga Komuna e Pejës në Kosovë e Maqedonia. Pa harruar Qendrën ditore “Don Bosko”, si dhe Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Halluni” Tiranë.

E duke qenë se vihet nga një vit i vështirë pandemie, atëherë Gjimnastrada e këtij viti është cilësuar “Dritarja e Shpresës”, gjithnjë nën kujdesin e Mimoza Mevlanit, e cila është Mjeshtre e Madhe, si dhe Qendrës “Gjenerata e Re”. Ndaj dhe Radio Televizioni Shqiptar, si partner i këtij aktiviteti, e ka marrë përsipër ta sjellë Gjimnastradën për teleshikuesit e saj.