RTSH Sport Live

Hasani, ai që nuk duhej të luante

  • 04/12/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Hasani, ai që nuk duhej të luante
Sakrifica e golashënuesit gati i dorëzoi derbin Tiranës

Nuk duhej as të luante, por si ndodh ndonjëherë me lojtarët më të rëndësishëm, u shfaq në fushë nga minuta e parë në derbin e kryeqytetit. Këtë herë nuk bëhet fjalë për strategji, por më shumë për sakrificë. Florent Hasani nuk kishte asnjë stërvitje në këmbë përpara ndeshjes, vuante dëmtimin e pësuar në humbjen 1-0 me Erzenin, në përplasjen e fortë në minutën e 20, që e detyroi të qendronte në dhomat e zhveshjes pas pushimit. Mjekët e Tiranës bënë të pamundurën që Hasani të ishte në fushë e pikërisht numri 9 shënoi golin e avantazhit për bardheblutë në minutën e 28′. Goli i 9 për sulmuesin e Tiranës, goditja e të cilit nuk i la asnjë shans Qirkos, e është tani shënuesi më i mirë i kampionatit, duke arritur të ndjerin Dwamena. Por meritat nuk janë vetëm në realizimin perfekt brenda zonës, por edhe në intensitetin e imponuar për të tjerët në një pjesë të parë që e pa Tiranën të bënte presion lart, duke e futur në telashe Partizanin, të surprizuar nga kjo mënyrë loje. Agresivitet që Hasani e shfaqi edhe në prapavijë, duke dhënë kontributin e tij për të ndihmuar bardheblutë sa herë ishin në vështirësi. Një sakrificë me efekt të plotë, sepse Hasani dha gjithcka nga vetja e ndoshta edhe më shumë se mundej, sepse derbi është derbi e nëse nuk e fiton dot, të paktën nuk duhet humbur. E Tirana e Ahmatajt, sidomos në pjesën e parë, bëri performancën më të mirë që kur tekniku është ulur në pankinën bardheblu.