RTSH Sport Live

Henry për lojën e Realit: Të mbrohesh, pjesë e këtij sporti

  • 18/04/2024
  • |
  • UEFA Champions League
Henry për lojën e Realit: Të mbrohesh, pjesë e këtij sporti
“Mendoj se skuadra më e mirë, ajo që u mbrojt më mirë, arriti në gjysmëfinale”

Ndoshta shumë nga ata që e pëlqejnë futbollin nuk janë të kënaqur me eliminimin e Manchester Cityt nga Champions League përballë Real Madridit. Skuadra e Pep Guardiolës pa dyshim është një nga ato që luan futbollin më spektakolar në botë dhe ndoshta në ballafaqimin e dyfishtë të çerekfinaleve meritonte pak më shumë.

Por Thierry Henry nuk është i të njëjtit mendim. Në Spanjë flitet shumë për stilin e lojës të aplikuar nga Carlo Ancelotti në pjesën e dytë, kur Los Blancos ishin përpara me një gol në Etihad Stadium dhe praktikisht në gjysmëfinale. Epo, në debat ka ndërhyrë edhe një legjendë e futbollit, sot drejtuesi i ekipit të Francës U-21 (pra edhe i ekipit që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike).

Henry u shpreh: “Në futboll ekziston një gjë që quhet mbrojtje. Ju gjithashtu mund ta kontrolloni lojën duke u mbrojtur mirë, është pjesë e këtij sporti. E di që njerëzit do të thonë se Manchester City është skuadra më e mirë dhe se ata ishin skuadra më e mirë edhe kundër Real Madridit, por mbrojtja është pjesë e lojës dhe Real Madrid u mbrojt shumë mirë. Mendoj se skuadra më e mirë, ajo që u mbrojt më mirë, arriti në gjysmëfinale”.