RTSH Sport Live

Hill Clim, nën siglën e hungarezit Zas

  • 12/09/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Hill Clim, nën siglën e hungarezit Zas
Valon Rexhepi dhe Gentian Kulla ngjiten në podium, për të rinj dallohet Julian Sami

Hill Clim, apo gara e makinave të modifikuara, të dielën ka përfunduar edicionin e saj të shtatë. Ashtu sikurse është për traditë për të gjithë pilotët janë shfrytëzuar maloret e Malit të Krujës, apo quajtur ndryshe Sarisalltik. Pikërisht për këtë arsye ka marrë dhe emrin “Trofeu Skënderbej 2021”. Një eveniment që u rikthye pas dy vitesh, sepse pandemia Covid-19 bëri të veten.

Edhe në kushtet e izolimit, apo të rregullave të forta të vendosura në qarkullimin e qytetarëve në Europë, teksa tanimë kërkohet jo vetëm certifikata e vaksiminimit, por dhe tamponi 48 apo 72 orë përpara fluturimit, përsëri kjo garë ka tërhequr pilotë të huaj. Jo vetëm polak, maqedonas, italian, por dhe hungarez. Pa harruar kosovarë, apo dhe pilotë të rinj shqiptar.

Është konkurruar në kategorinë pro, si dhe në kategorinë Promo. Dhe në të dyja kategoritë së bashku u bënë gjithsej 53 pilotë. Është garuar në dy ditë, sepse gjithçka zhvillohet me kushtet e Formula 1. Pra ditën e shtunë provat zyrtare, ku dhe u vendos radha e nisjes së pilotëve, dhe të dielën gara zyrtare.

Dhe në vendin e parë, ashtu sikurse në 2019-ën, ishte hungarezi Laslo Zas me kohën 2’12”232. Në vendin e dytë u rendit Valon Rexhepi nga Kosova dhe në të tretin Gentian Kulla. 40 garues në kategorinë Pro. Kurse për kategorinë Promo në vend të parë u rendit Julian Sami me BMW, i ndjekur nga Apostol Lena dhe Alban Zaka.

Në Kategorinë Promo morrën pjesë 13 pilotë. Gara u ndoq nga shumë spektatorë, të cilët janë të apasioanuar pas motosportit. Gjithçka nën kujdesin e AutoClub Albanias, e cila tanimë do të vijojë me të tjera gara, sipas kalendari që ka miratuar Federata Shqiptare e Automobilizmit për vitin 2021. Kështu Hill Clim për vitin 2021 dhe gara e Krujës përsëri nën siglën e hungarezit Lazlo Zas.