Rrathët olimpikë që u vendosën në Kullën Eifel në qershor, janë hequr tashmë, në pritje të zëvendësimit të tyre nga një strukturë më rezistente ndaj agjentëve atmosferikë. Ato do të qëndrojë në monumentin historik të kryeqytetit francez, deri në vitin 2028.
Rrathët që krijojnë simbolin e Lojërave Olimpike janë hequr nga Kulla Eifel, duke e kthyer monumentin e dashur për të gjithë në formën e tij të njohur, por kjo do të jetë vetëm përkohësisht. Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, ka premtuar se do të vendosjë rrathë të rinj olimpikë, në kujtim të Lojërave Olimpike, jashtëzakonisht të suksesshme të mbajtura në kryeqytet gjatë korrikut dhe gushtit 2024. Ajo ka sugjeruar se rrathët e rinj që formojnë logon olimpike, duhet të jenë të përhershëm, e të qëndrojnë deri në Lojërat Olimpike të ardhshme në Los Anxhelos në 2028.
Punëtorët që operonin me vinça të shumtë të mëdhenj hoqën rrathët e çelikut prej 30 tonësh, të vendosur midis katit të parë dhe të dytë të kullës. Ato u instaluan për herë të parë më 7 qershor, e tani do të shkrihen dhe riciklohen. Unazat e reja, për të cilat pritet të paguajë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, do të jenë versione më të lehta të origjinaleve, më pak të spikatura dhe më rezistente ndaj agjentëve atmosferikë.
Por kryebashkiakja e Parisit, dëshiron të mbajë edhe simbole të tjera të olimpiadës, si kazanin e madh ku u vendos flaka olimpike, i cili është i instaluar përpara muzeut të Luvrit si dhe statujat e grave të shquara të vendosura në lumin Senë gjatë ceremonisë së hapjes.