Julian Nagelsman flet për rikthimin e bujshëm të Toni Kros në ekip. Gjatë një interviste për prestigjozen "Spiegel" komisari teknik i katër herë kampionëve të botës ka treguar se ky vendim i mesfushorit për dy arsye të forta nuk do të jetë një problem për palët. Ai lajmëroi se shumë lojtarë kyç të Gjermanisdë do të ndjekin nga ekrani Euro 2024. Mes të tjerash Nagelsman ka sqaruar një herë e mirë edhe arsyen, e cila fshihet pas shkarkimit të beftë nga Bajerni marsin e kaluar.
Mendoni se rikthimi i Kros do të jetë një problem?
Të them të drejtën është gjëja e fundit që mendoj pasi e kam vënë re se lojtari është shumë i motivuar. Është i uritur për sukses. Së dyti përpara se Kros të finalizonte vendimin e tij unë kam biseduar me secilin prej lojtarëve në telefon dhe askush nuk ka qenë kundër rikthimit të tij. Përkundrazi të gjithë më shprehën opinione pozitive.
Si mendoni se do t’iu ndihmonte rikthimi i tij?
Ai është lojtari ideal në lidhjen e reparteve për ekipin që kemi në kokë. Eksperienca e tij në ndeshje të mëdha është shumë e rëndësishme. Ai është tipi i lojtarit, i cili luan mjaft mirë edhe nën presion dhe në një Europian ku do të luajmë në shtëpi kemi nevojë për lojtarë të tillë.
Me rikthimin e Kros mund të themi se Kimish nuk ka më vend në mesfushë?
Mund të themi se edhe po të mos ishte rikthyer Kros, Joshua Kimish mund luante në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në Kombëtare duhet të jesh gati të interpretosh ç’do rol pasi duhet t’i shërbesh vendit tëndë. Dhe Kimish është tipi i lojtarit që e bën më shumë se të gjithë të tjeretë këtë gjë.
Humbjet me Austrinë dhe Turqinë thuhet se ju kanë bërë që të mendoni të afroni më shumë lojtarë “punëtorë”.
Nuk duhet të mendojmë më për statusin e lojtarëve. Prej vitesh flasim për një Gjermani sikur të ishte mes më të mirave të botës, por në fushë kemi koleksinuar vetëm zhgënjime. Kështu nuk kthehemi në rrugën e suksesit.
Ç’do të thoni me këtë?
Për të arritur qëllimin tonë duhet që të mbrojmë me më shumë pasion. Paralajmëroj se do të kemi në ekip më shumë lojtarë si Paskal Gros. Lojtar ky që hidhet në zjarr për shokët dhe nuk mendon se shkëlqen nëse bën një pasim të bukur.
Paraardhësi juaj, Hansi Flik ishte i mendimit se “mentaliteti mund talentin”, por fusha tregoi se nuk kishte të drejtë.
Prandaj po ndryshojmë shumë nga skuadra, e cila ishte prezent në Kupën e Botës në Katar. Nuk mendoj se do të grumbullojmë dhjetë lojtarë të rinj, por ju siguroj se disa lojtarë, të cilët njerëzit mendojnë se e kanë vendin e garantuar në Kombëtare, nuk do të grumbullohen.
Mund të tregoni emrat e tyre?
Jo nuk mundem, si fillim duhet të flas me ata personalisht për t’iu shpjeguar vendimin tim.
Çfarë mësimesh ke nxjerrë nga periudha që ke kaluar në Mynih?
Si trajner duhet të bësh maksimumin për të mos tërhequr shumë vëmendjen. Nga ana tjetër unë nuk jam një person që del nga vetja për një vend pune. Kam formën time, për shembull nuk jam si Jup Hajnkes.
Hajnkes është vlerësuar në Mynih pasi përpara ekipit nuk ka vendosur as veten e tij…
Unë jam ndryshe pasi jam shumë më i ri. Nuk mund të qëndroj me kostum në fushë vetëm pasi paraardhësit e mi kanë bërë diçka të tillë. Ata, të cilët më morën në punë e dinin se unë mund të vishja edhe një xhup të kuq. Ky nuk ishte një problem për ata, por në momentin që nuk fiton të tilla gjëra fillojnë dhe fliten.
Jeni përfolur se gjatë kohës që keni kaluar në Mynih i keni kushtuar shumë kohë hobeve tuaja…
Unë u akuzova pas humbjes përballë Leverkusenit se nuk isha në gadishmëri që të takoja krerët e klubit. Nuk është e vërtetë pasi unë nga e hëna në të mërkurë atë javë kam qenë në zyrë. Dhe meqë ra fjala vetëm unë isha në zyrë, asnjëri nga drejtuesit nuk ishte në klub ato ditë. Më pas me lejen e klubit shkova për të kaluar pak ditë më mal.
Firmose një kontratë të gjatë dhe prezupozohej që të ndërtoje diçka me rëndësi. Çfarë shkoi keq?
Më morën në punë për të ndryshuar gjërat. Disa klube të japin kohë për të diçka të tillë. Klop fitoi titullin e parë kampion në Angli me Liverpulin në sezonin e pestë. Guardiola me Sitin triumfoi në Champions në sezonin e shtatë. Trajnerët në Mynih nuk kanë aq kohë në dispozicion për të ndërtuar diçka.