RTSH Sport Live

Italia pushton Uemblin, rrëmben trofeun Euro 2020

  • 12/07/2021
  • |
  • Futboll Bota
Italia pushton Uemblin, rrëmben trofeun Euro 2020
120 minuta lojë 1-1: Bonucci i përgjigjet Shaw. Vendoset me penallti, gabimi i Saka ishte vendimtar

Triumfi i Italisë në Wembley. Në finalen e Euro 2020, skuadra e Mancini mundi Anglinë 4-3 pas gjuajtjeve të penalltive dhe u shpall Kampione e Europës për herë të dytë në historinë e saj. Anglezët e nisën mirë sfidën dhe kaluan në avantazh që në minutën e dytë me anë të Shaw . Në pjesën e dytë Italia barazoi me Bonucci (67'). Barazim 1-1 në 12 minuta dhe penalltitë vendosin fatin e finales, gabimi i Saka ishte vendimtar.

Italia është shpallur të dielën “kampione” e Europës, teksa ka triumfuar ndaj Anglisë, por vetëm pas goditjes së 11-metërshve, duke i shtuar edhe një tjetër kurorë kontinentale asaj të vetmes që kishte fituar në vitin e largët 1968. Ndërkohë, anglezët nuk arrijnë t’i japin fund pritjes prej 55 vitesh për një trofe madhor, që nga ai triumf i shumëpërfolur në finalen e Botërorit të 1966-ës ndaj Gjermanisë.

Italia do të tronditet nga goli i shpejtë dhe do të duhet kohë që ta marrë veten e të kthehet në lojë, teksa Anglia cinike mbrohet me kujdes që në mesfushë dhe i kufizon “axurrët” vetëm në goditjet nga larg. Ndonëse janë italianët që mbizotërojnë drejt fundit, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të anglezëve. Ndërsa e dyta do të shohë Italinë më kërkuese, më këmbëngulëse dhe më të rrezikshme në drejtim të portës angleze dhe minutën e 67-të, Bonuçi do të finalizojë një aksion të gjatë të skuadrës së tij, duke rikthyer barazinë në shifra.

Italianët do të vazhdojnë ta mbizotërojnë lojën, por asnjëra nga skuadrat nuk arrin ta gjejë golin që do të ndryshonte shumëçka dhe, për rrjedhojë, koha e rregullt do të mbyllet në barazim 1-1 e gjithçka do t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 secila. Gjysmëora ka parë të dy ekipet të guxojnë, por pa e gjetur golin dhe fati i takimit është vendosur nga lotaria e 11-metërshve, që ka qenë tejet dramatike, teksa Beloti ka gabuar të dytën për Italinë, por Rashford dhe Sanço kanë gabuar të 3-ën dhe të 4-ën për Anglinë dhe, ndonëse Pikford i ka pritur goditjen Zhorzhinjos, duke mbajtur gjallë Anglinë, Saka gabon për vendasit dhe Italia është kampione e kontinentit.