RTSH Sport Live

Juventusi, Prokuroria me fakte në duar

  • 01/12/2021
  • |
  • Itali
Juventusi, Prokuroria me fakte në duar
Klubi bardhezi rrezikon rrëzimin në Serie B dhe humbjen e disa titujve

Prokuroria e Torinos po nxiton për të mbyllur sa më shpejt hetimet që lidhen me transferimet e dyshimta të Juventusit. Sipas mediave italiane, situata e bardhezinjve bëhet serioze pasi kanë dalë në dritë të dhëna të reja që kryqëzojnë drejtuesit e klubit më të titulluar të Italisë. Pas marrjes në pyetje të drejtorit sportiv,  Federico Cherubini  dhe administratorit, Maurizio Arrivabene, të mërkurën ishte radha e ish kreut të sektorit të të rinjve,  Paolo Morganti në cilësinë e personit që i njeh mjaft mirë lëvizjet e merkaros së Juventusit.

Cherubini dha dëshminë e tij në rreth 10 orë ndërsa burimet saktësojnë se Arrivabene nuk ka dhënë informaconin e kërkuar nga hetuesit.  Në mesin e skandalit është edhe çështja që lidhet me pagën e Cristiano Ronaldos pasi prokurorët dyshojnë që klubi ka fshehur shifrat e vërteta për të zbutur humbjet në bilancin vjetor dhe për të mos ngarkuar sistemin e plusvalencave, shumë të rëndësishëm për të mbrojtur klubet italiane nga falimentin.

Corriere Della Sera shkruan se presidenti i shoqërisë FIAT, John Elkann ka kërkuar kohë për të mësuar edhe zhvillimet e ditëve të ardhshme për të marrë më pas një vendim në lidhje me presidentin e Juventusit, Andrea Agnelli. Në favor të klubit për momentin janë dy precedent e viteve 2008 që lidhen me Milanin dhe në 2018-ën me Chievo Veronën, dy klube që kanë shkelur rregullat.

Në këtë mënyrë, në klubin torinez shpresojnë që t’ia hedhin me një gjobë të majme. Ndërkohë, drejtësia sportive është në pritje të asaj penale, ndërsa në duart e prokurorëve, pëvec dokumentave duket se janë edhe disa përgjime telefonike që implikojnë krerët më të lartë të klubit, të cilët kanë bërë manovra për të fshehur vlerat e vërteta të blerjeve apo shitjeve në 48 raste të ndryshme.

Edhe pse përgjimet telefonike nuk kanë asnjë vlerë penale, ndryshon çështja tek drejtësia sportive pasi denimi mund të jetë shumë i rëndë për klubin rekordmen të Italisë që rrezikon jo vetëm rikthimin në Serie B pas 15 viteve por edhe heqjen e 2 apo 3 titujve të fundit.