RTSH Sport Live

Ka tension dhe kaos në “Kukës Arena”, Erzeni fiton derbin e mbijetesës

  • 25/02/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Ka tension dhe kaos në “Kukës Arena”, Erzeni fiton derbin e mbijetesës

Erzeni fiton 2-1 me përmbysje dhe mes tensionit derbin e mbijetesës përballë Kukësit. Shijakasit marrin tre pikë të arta në transfertë përballë një rivali direkt dhe mbajnë gjallë shpresat për mbijetesë.

Ka patur momente tensioni në “Kukës Arena”, pasi tifozët vendas kanë pushtuar fushën pas golit të dytë të Erzenit. Është dashur ndërhyrja e menjëherëshme e forcave të rendit, që u futën në fushë për të mbrojtur arbitrat dhe lojtarët. Loja u ndërpre për disa minuta dhe sfida rifilloi sërish vetëm pasi u boshatis stadiumi nga tifozët.

Ndeshja nis më mirë për Kukësin që mbyll pjesën e parë në avantazh, falë golit të shënuar nga Salami. Miqtë reagojnë në pjesën e dytë dhe barazojnë rezultatin me Kahrimanoviç, që tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Pak minuta më vonë është Zeka ai që shënon golin e dytë për Erzenin, që përmbys gjithçka dhe sheh veten në avantazh 2-1. Pas kaosit të krijuar rifillon takimi, pa praninë e tifozëve, por Kukësi nuk arrin që të evitojë humbjen e radhës në minutat e mbetura.

Verilindorët mbeten në vendin e fundit në klasifikim, ndërsa Erzeni kalon Teutën dhe ngjitet në vendin e tetë me 26 pikë.