RTSH Sport Live

Kapiteni Hysaj: San Marino, si Andorra

  • 30/03/2021
  • |
  • Kombëtarja
Kapiteni Hysaj: San Marino, si Andorra
Nuk luan Berisha, Hysaj do të mbajë shiritin e kapitenit në ndeshjen me San Marinon

“Me San Marinon do të jetë një ndeshje si me Andorrën. Është një skuadër që rri shumë në mbrojtje. Kemi parë dhe disa ndeshje të kundërshtarit se si luan, kemi zgjedhur disa skema që të përballojmë dhe të kalojmë me sukses këtë sfidë”. Janë këto fjalët e mbrojtësit kuqezi, Elseid Hysaj, i cili u paraqit në konferencën për shtyp, në rolin e kapitenit, bashkë me trajnerin Reja, për të komentuar sfidën e radhës të kuqezinjve në këto kualifikuese, atë me San Marinon, që do të luhet të mërkurën, ora 20:45.

Në sfidën e nesërme nuk luan Berisha, kështu që shiriti i kapitenit do ti takojë mbrojtësit të Napolit, i cili ka vazhduar më tej me deklaratën e tij: “Është bukur të jesh kapiten, por kur merr ftesën për të qenë i pranishëm në Kombëtare, është një ndjesi e veçantë”.

Ndikimi i humbjes me Anglinë – “Humbja me Anglinë nuk është se ka ndikuar në moralin e skuadrës, sepse të gjithë e denim se ishte një ndeshje shumë e vështirë. Nëse do të fitonim, do të ishte super. Nëse do të ishim më të përqëndruar, mud të bënim diçka më shumë. Jemi munduar të japim maksimumin, por Anglia është Anglia”.

Fitorja, një detyrim? – “Përballë San Marinos duhet të tregohemi më të kujdesshëm se me Anglinë. Janë ndeshje që duken të lehta në letër, por nuk është kështu. Do të zbresim në fushën e lojës vetëm për tri pikë. Fizikisht dhe psikologjikisht jemi mirë, jemi mësuar tashmë të luajmë çdo tri ditë”.

Mund të pretendojmë me çdo kundërshtarë - “Kemi një skuadër të mirë dhe një trajner të shkëlqyer. Jemi në një grup ku mund të provojmë mundësitë tona me të gjitha skuadrat. Duhet të tregohemi të përqëndruar si në ndeshjen me Anglinë, por rastet që krijojmë duhet ti shfrytëzojmë maksimalisht, që të marrim tri pikët”.