RTSH Sport Live

Kategoria e Parë: Apolonia përmbys Vorën, Flamurtarit i mjafton barazimi

  • 12/05/2024
  • |
  • Futboll Vendi
Kategoria e Parë: Apolonia përmbys Vorën, Flamurtarit i mjafton barazimi

Flamurtari-Apolonia do të jetë finalja e Play Off-it në Kategorinë e Parë. Fierakët eliminojnë Vorën, në një ndeshje të çmendur, të mbushur me emocione dhe gola. Apolonia shënon e parë, por Vora përmbys gjithçka që në pjesën e parë dhe mbyll 45 minutat e para në avantazh 2-1.

Vendasit shënojnë edhe golin e tretë, sapo fillon fraksioni i dytë i lojës. Presidenti Kokëdhima tërheq skuadrën për disa minuta nga fusha pas pësimit të golit, por me rikthimin në fushë fierakët “fluturojnë” dhe shënojnë 3 gola në minutat e mbetura, duke përmbysur gjithçka në favorin e tyre. Mbyllet 4-3 për miqtë ndeshja dhe Apolonia siguron një vend në finalen e Play Off-it. Përfundon këtu ëndrra e Vorës për një vend në Superiore.

Nuk ka gola në ndeshjen tjetër të Play Off-it që u luajt në Vlorë mes Flamurtarit dhe Korabit. Ky barazim shpërblen vlonjatët, që kualifikohen më tej, pasi mbyllën sezonin e rregullt në vendin e tretë në renditje. Vendasit kanë dominuar ndeshjen po pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Flamurtari do të sfidojë Apoloninë në finalen e Play Off-it, ndërsa rrugëtimi i Korabit drejt Superiores përfundon këtu.