Një tjetër ndryshim në kalendarin e ndeshjeve dhe pikërisht në Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike nga reshjet e shumta, ndeshjet e planifikuara për këtë fundjavë janë shtyrë për ditën e hënë. Orari mbetet i pandryshuar, ora 13:30.
Ndërsa 24 orë më parë u vendos për ndryshimin e orarit, të gjitha ndeshjet e programuara për të nisur në orën 14:00 në kampionatet “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë, do të nisin 30 minuta më herët, tani vjen dhe zhvendosja e ndeshjeve për ditën e hënë.
Njoftimi i FSHF-së
Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se do të ketë sërish një ndryshim në kalendarin e ndeshjeve të fundjavës në dy prej kampionateve kombëtare.
Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe reshjeve të dendura të shiut ndeshjet e programuara në fundjavë të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë do të spostohen për t’u zhvilluar ditën e hënë duke nisur nga ora 13:30.