RTSH Sport Live

KOKSH, memorandum bashkëpunimi me Hungarinë

  • 19/11/2021
  • |
  • Sporte të tjera
KOKSH, memorandum bashkëpunimi me Hungarinë
Ylli dhe Kulcsar hedhin firmat mbi letra, ndërsa premtohet rritja e nivelit të sportit në vend

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar firmosi gjatë së premtes një marrëveshje bashkëpunimi me Komitetin Olimpik të Hungarisë. Presidentët Fidel Ylli dhe Kristian Kulczar, të shoqëruar nga sekretarët e përgjithshëm Gerti Shima e Balint Vekasi, kanë hedhur firmat mbi këtë memorandum bashkëpunimi. Presidenti Ylli, për RTSH Sport, do të tregonte se cilat janë fushat e bashkëpunimit në sport me Hungarinë.

“Bashkëpunimi do të jetë në menaxhimin e zyrës së burimeve njerëzore, të marketingut, të shërbimeve dhe mjekësisë sportive, të Komitetit Olimpik për të bërë një muze olimpik”.

Shumë i emocionuar ka qenë presidenti Kulczar me këtë vizitë të parë në Tiranë, ndërsa është shprehur i bindur se ky bashkëpunim nuk do të jetë thjeshtë çështje letrash

 “Së pari, falëminderit për mundësinë që më dhatë për të qenë për herë të parë në Shqipëri. Jam i lumtur në këtë firmosje bashkëpunimi, të cilën edhe si vizitë të parë nuk do ta harroj kurrë. Ne jemi miq, sepse jemi pjesë e familjes së madhe olimpike. Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne kjo marrëveshje bashkëpunimi, sepse sjell eksperienca të ndërsjellta e rrit nivelin e sporteve të dy vendeve”.

E ndërkohë pjesë e takimit ishte dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, së bashku me sekretarin e përgjithshëm Besim Aliti. Për Krasniqin një marrëveshje e tillë Shqipëri – Hungari ndihmon dhe Kosovën të rritet në disiplinat e saj sportive.

“Bashkëpunimi mes Komitetit Olimpik shqiptar dhe atij të Kosovës është vllazëror, ne do ti shkëmbejmë të gjitha të mirat që do ti marrim edhe nga ky bashkëpunim, por dhe ato që kemi në Kosovë do I sjellim këtu, bashkëpunimi do të jetë një”.

Ndërkohë Kulczar ka qenë dy medalist i argjendtë në Lojërat Olimpike “Barcelonë 1992” dhe “Athinë 2004”, si dhe Kampion Bote në Shën Petërburg më 2007 në skermë. A mund të hapet kjo disiplinë edhe në Shqipëri?

 “Nëse është infrastruktura e nevojshme gjithçka mund të bëhet, ashtu sikurse ndodh në disiplinat e tjera sportive, të cilat ju dhe Kosova i keni traditë. Unë mendoj që pas këtij memorandumi bashkëpunimi ne do të ecim të gjithë së bashku jo vetëm nën frymën olimpike, por dhe të rritjes së nivelit e marrjes së rezultateve të duhura”.

Kulczar dhe Vekasi janë pritur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Më pas nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe në fund edhe nga kryeministri Edi Rama. Ligji i sponsorizimit që Hungaria ka sot, të paktën edhe sipas Yllit, do të mund të përshtatet edhe në vendin tonë.

“Arsyeja që ne fillojmë këtë bashkëpunim me Komitetet Olimpike dhe sidomos me atë hungarez, sepse në fokusin tonë kemi patur ligjin hungarez që është një nga më të mirët në botë përsa I përket sportit. Kjoë shtë arsyeja që neve na e kanë sjellë me vete dhe ligjin hungarez”.

Pas firmosjes janë shkëmbyer dhe dhuratat, ndërsa nga i pari i olimpizmit shqiptar është mësuar fakti se tanimë do të ketë edhe memorandume të tjera bashkëpunimi jo vetëm me Komitetet Olimpike në vendet fqinje, por dhe më tej. Gjithnjë me fokusin për t’i dhënë një shtytje më tepër rritjes së nivelit të sportit në vend.