RTSH Sport Live

Kombëtarja i nis me humbje eliminatoret

  • 04/08/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Kombëtarja i nis me humbje eliminatoret
Kuqezinjtë e Melkës munden 0-3 në Rumani për ndeshjen e parë të Grupit G

Ka nisur me një humbje në 3 sete të mërkurën pjesëmarrja e Kombëtares kuqezi të volejbollit të meshkujve në Eliminatoret e Kampionatit Evropian, aty ku shorti e ka vendosur në grupin G dhe përballë do të ketë Rumaninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Zvicrën. Dhe rrugëtimi i skuadrës së drejtuar nga trajneri Jani Melka, ka nisur pikërisht me përballjen e parë në Rumani përballë përfaqësueses vendase. Ndeshja, që është luajtur në Sallën Sportive në Galatsi, duke nisur nga ora 16:00, me orën e Tiranës, ishte e para e këtij grupi, teksa në mbrëmje, në Sarajevë është luajtur përballja tjetër, ajo midis Bosnjë-Hercegovinës dhe Zvicrës.

Me Rumaninë, Shqipëria u përball edhe në fazën e grupeve të Ligës së Argjendtë të Evropës dhe kuqezinjtë ishin mundur, si në Tiranë, 1-3, ashtu edhe në fushë të huaj, 0-3. Dhe, sikundër e kishte paralajmëruar edhe trajneri Melka, skuadra rumune ka rezultuar tepër e fortë për kuqezinjtë, duke e marrë edhe takimin e së mërkurës në 3 sete. Nuk ka patur shumë histori në këto 3 sete, pasi Rumania i ka fituar ato thuajse në të njëjtën mënyrë, me shifrat 25-16, 25-15 dhe 25-16, dhe gjithë ndeshjen 3-0. Kurse në takimin tjetër të grupit, Zvicra ka fituar 3-1 në Bosnjë-Hercegovinë ndaj përfaqësueses vendase.

Ndërkaq, aventura e kuqezinjve në këtë grup do të vijojë me sfidën e dyfishtë me Bosnjë-Hercegovinën, teksa të dyja ndeshjet është rënë dakord që të luhen në kryeqytetin shqiptar, në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik në Tiranë. Më 6 gusht do të luhet përballja e parë, ku boshnjakët janë pritës, ndërsa 24 orë më vonë ajo e dytë, ku Shqipëria është pritëse.

Ashtu si me Rumaninë, edhe me Bosnjë-Hercegovinën Shqipëria u përball edhe në fazën e grupeve të Ligës së Argjendtë të Evropës dhe Kombëtarja u mund 2-3 në fushë të huaj, duke fituar 3-0 në fushën e vet.  Më pas, në datat 10 dhe 13 gusht, skuadra e Melkës do të ndeshet me Zvicrën, me takimin e parë që luhet në fushë të huaj e me atë të kthimit në Tiranë. Shqipëria e mbyll pjesëmarrjen e saj në grupin G me ndeshjen me Rumaninë, që do të luhet në Tiranë më 20 gusht 2022.