RTSH Sport Live

Kombëtarja U16 mundet nga Italia

  • 24/01/2023
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja U16 mundet nga Italia
Mundet 0-3 përballë Italisë në Koverçano, të enjten, miqësorja e dytë e kuqezinjve

Kombëtarja kuqezi e Nën-16-vjeçarëve, e cila e ka nisur që prej ditës së shtunë grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore të luksit kundër bashkëmoshatarëve të Italisë, e ka zhvilluar sot takimin e parë në shtetin fqinj, duke e humbur atë me shifrat 3-0. Kuqezinjtë e vegjël, të drejtuar nga trajneri Agron Kërçova kanë zbritur sot në fushën e Kompleksit të famshëm të Koverçanos, por e kanë gjetur veten në disavantazh pas vetëm 4 minutash lojë, kur Kristian Komoto ka shënuar për italianët.

Loja do të flasë për përfaqësuesen vendase edhe në vijim, por ka qenë gardiani i portës kuqezi, Kolgecaj, ai që ka spikatur për Kombëtaren shqiptare. Sidoqoftë, ai do të mposhtet sërish 6 minuta para fundit të pjesës së parë, kur Samuele Injacio do të gjejë golin e dytë të “axurrëve”.

Me këtë epërsi të dyfishtë të Italisë do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, skuadra vendase do të gjejë edhe një gol të 3-të me anë të Vinçenco Damianos, i cili realizon në minutën e 65-të.

Mbyllet kështu me fitoren 3-0 të Italisë kjo miqësore e parë kundër Shqipërisë, ndërsa më 26 janar, duke nisur nga ora 10:30, dy përfaqësueset e Nën-16-vjeçarëve do të jenë sërish përballë njëra-tjetrës në miqësoren e dytë në Koverçano.