RTSH Sport Live

Kombëtarja U17 humb edhe të dytën

  • 20/01/2023
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja U17 humb edhe të dytën
Kuqezinjtë e Bulkut munden sërish 0-3 nga Turqia, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve ka zhvilluar të premten pasdite ndeshjen e dytë miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Turqisë. Në takimin e parë, të sjellë të mërkurën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku ishin mundur me shifrat 0-3. Kështu ka ndodhur edhe në takimin e dytë miqësor mes dy përfaqësueseve, që u zhvillohet në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe që erdhi gjithashtu drejtpërdrejt në RTSH Sport.

Këto dy përballje me Turqinë ishin në kuadër përgatitjeve të ekipit kombëtar të Nën-17-vjeçarëve për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023 të kësaj grupmoshe, ku shorti i turit “Elite”, e ka vënë Shqipërinë në grupin e 8-të së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë.

Ndeshjet e këtij grupit të kësaj faze do të luhen në Shqipëri në muajin mars. Dhe pjesa e parë e ndeshjes së të premtes, përtej një mbizotërimi të skuadrës turke, është mbyllur me rrjeta të paprekura. Ndërkaq, ajo e dyta ka nisur më mirë për Nën-17-vjeçarët kuqezi, të cilët e synojnë më tepër portën kundërshtare, por, një gabim në mbrojtja do t’u dhurojë turqve golin e parë në minutën e 65-të.

Loja më pas do të hapet, me Kombëtaren kuqezi që do të kërkojë golin e barazimit dhe me turqit që kërkojnë të dyfishojnë epërsinë. Megjithatë, 7 minutat e fundit të kohës së rregullt do të rezultojnë vrastare për skuadrën e Bulkut, pasi do të pësojë edhe dy gola. Fillimisht, turqit do të dyfishojnë shifrat në minutën e 84-t.

Brenda vetëm dy minutash, skuadra mike ka gjetur edhe golin e 3-të. Mbyllet kështu ky me një tjetër humbje 0-3 edhe ky takim i dyë miqësor midis Nën-17-vjeçarëve të Shqipërisë dhe atyre të Turqisë.