RTSH Sport Live

Kombëtarja U17 humb miqësoren e parë me Turqinë

  • 18/01/2023
  • |
  • Kombëtarja
Kombëtarja U17 humb miqësoren e parë me Turqinë
 Kuqezinjtë e Bulkut munden 0-3 nga Turqia, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport

Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve ka zhvilluar të mërkurën ndeshjen e parë miqësore kundër bashkëmoshatarëve të Turqisë, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, të cilët  i kanë nisur stërvitjet që prej ditës së hënë në Durrës, në kuadër të përgatitjeve për këto dy takime miqësore, e kanë nisur më mirë, por janë turqit që kalojnë të parët në epërsi  pas vetëm 10 minutash lojë në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, me anë të Ajhanit.

Turqit do të fitojnë një 11-metërsh 7 minuta më pas dhe do të shënojnë me përpjekjen e dytë, teksa portieri kuqezi, Dervishi, e grushtoi goditjen e parë, por goli do të anulohet për pozicion jashtëloje nga gjyqtari kryesor. Me një lojë të barabartë në vijim, por me epërsinë minimale të turqve do të mbyllen 45 minutat e para. Ato të dytat do të jenë të luftuara, por janë turqit që gjejnë edhe golin e dytë në të 68-tën. Përtej përpjekjeve të kuqezinjve, që nuk kanë munguar, Shqipëria pëson edhe një gol të 3-të në këtë përballje me Turqinë.

Mbyllet kështu ky takim i parë miqësor, ndërsa ai i dytë mes dy përfaqësueseve do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” më 20 janar në ora 15:00. Këto dy përballje me Turqinë janë në kuadër të grumbullimeve, përzgjedhjeve, takimeve të tjera miqësore dhe përgatitjeve të ekipit kombëtar të Nën-17-vjeçarëve për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023 të kësaj grupmoshe, ku shorti i turit “Elite”, e ka vënën Shqipërinë në grupin e 8-të së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë. Ndeshjet e këtij grupit të kësaj faze do të luhen në Shqipëri në muajin mars.