RTSH Sport Live

Kopenhagen denoncon Sevijan në UEFA

  • 28/10/2022
  • |
  • Futboll Bota
Kopenhagen denoncon Sevijan në UEFA
Klubi danez reklamon keqtrajtimin e tifozëve të vet nga autoritetet vendore në stadium

Kopenhagen, e cila u mund të martën 3-0 në Ramón Sánchez-Pizjuán, nga Sevija, ka denoncuar të premten keqtrajtimin e bërë ndaj tifozëve të vet para dhe gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve në qytetin Andaluzian. Klubi danez tregon për sjelljen aspak të mirë të “autoriteteve spanjolle” dhe të “personelit të sigurisë” të klubit bardhekuq. Klubi i Kopenhagenit, nëpërmjet një deklarate ka denoncuar pranë UEFA-s të gjitha incidentet që kanë ndodhur në stadiumin e Sevijas.

“FC Copenhagen ka depozituar një ankesë në UEFA në lidhje me trajtimin e tifozëve tanë në Sevilje, të cilët nuk ishin pritur apo trajtuar ashtu siç duhet, nga autoritetet spanjolle dhe nga personeli i sigurisë së Sevilla FC – shkruhej në deklaratë. 

Tifozët e FC Copenhagen u sollën në mënyrë shembullore para, gjatë dhe pas ndeshjes në Sevilje, por me të mbërritur në stadium ata janë keqtrajtuar nga autoritetet lokale dhe personeli i sigurisë në hyrje. Ndër të tjera, u kryen kontrolle potencialisht të paligjshme dhe poshtëruese të tifozëve tanë, dhe të tjerë përjetuan trajtim të ashpër dhe dyshime të paarsyeshme.

Kemi mbledhur informacione për rrethanat dhe i kemi dërguar një ankesë zyrtare në UEFA, duke kërkuar që organizmi numër 1 i futbollit evropian të hetojnë rrethanat pas këtij trajtimi të ashpër krejtësisht të panevojshëm të tifozëve tanë, të cilët nuk shkaktuan asnjë problem në Sevilje”. Rreth 1,500 tifozë të Kopenhagenit ishin në tribunat e Ramón Sánchez-Pizjuán.