RTSH Sport Live

Kosova, argumentat në CAS

  • 21/11/2024
  • |
  • Kosova
Kosova, argumentat në CAS
Ndëshkimi i Rumanisë nga UEFA për racizëm provon drejtësinë e pretendimeve të palës kosovare

Kosova do ta çojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv vendimin e UEFA-s për humbjen 3-0 në tavolinë të ndeshjes së braktisur në Bukuresht. Federata e Kosovës argumenton se vetë vendimi i UEFA-s për të dënuar Rumaninë për racizëm e diskriminim tregon që pretendimet e palës kosovare janë të drejta dhe braktisja e ndeshjes ishte e arsyeshme.

Federata e Futbollit e Kosovës do ta kundërshtojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë vendimin e UEFA-s për humbjen 3-0 në tavolinë të ndeshjes kundër Rumanisë, të cilën kombëtarja e Kosovës e braktisi në minutën e 90-të pas thirrjeve raciste nga ana e tifozëve rumunë. Federata beson se CAS to t’i japë të drejtë dhe argumentimin për këtë e merr nga vetë vendimi i UEFA-s.

Rezultati në favor të Rumanisë ishte i pritshëm pas refuzimit të Kosovës për t’u kthyer në fushë, por UEFA ndërkohë ka ndëshkuar edhe vendin pritës me gjobë dhe një ndeshje pa tifozë, me motivimin për racizëm dhe diskriminim, pas ankesës së bërë nga Federata e Kosovës.

Kjo e fundit ka deklaruar se vendimi i UEFA-s për të ndëshkuar Rumaninë pas ankesës provon që Kombëtarja e Kosovës ka pasur të drejtë në pretendimet e saj dhe po ashtu konfirmon qëndrimin e arsyeshëm të skuadrës për të mos u kthyer në fushë. 

“Ky vendim arsyeton në plotni veprimet tona, dhe jemi krenarë që Kombëtarja jonë e vlerësoi saktë situatën kur vendosi të lërë fushën në shenjë proteste ndaj këtyre thirrjeve raciste, mesazheve provokuese politike dhe sjelljeve të tjera diskriminuese. Ky vendim konfirmon se Kosova ka ngritur një standard të ri për mbrojtjen e dinjitetit dhe respektit në futbollin ndërkombëtar”, deklaroi në një komunikatë Federata e Kosovës.

Edhe avokati i saj, Taulant Hodaj, ka shprehur bindjen se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv do ta kthejë çështjen në favor të Kosovës, bazuar në të njëjtat argumente.

“Ankesa e FFK-së, e cila përfshinte prova të qarta dhe argumente të pakundërshtueshme, ka luajtur një rol kyç në vënien para përgjegjësisë të palës rumune për gjuhën raciste, të urrejtjes dhe sjelljet diskriminuese. Në të ardhmen duhet të vazhdojmë aktivisht të ankohemi dhe kërkojmë që UEFA të mos lejojë racizmin në fushat e futbollit në asnjë rrethanë”, ka shkruar Hodaj.

Tani Federata e Futbollit të Kosovës është në pritje të marrjes së vendimit të plotë nga UEFA, për të nisur më pas procedurat për nisjen e çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.