Një aventurë e pakëndshme për Alvaro Moratën. Sulmuesi i Milanit, i cili u kthye në Itali pas viteve të tij tek Atlético Madrid, kishte zgjedhur të jetonte në Corbetta, një komunë në provincën e Milanos, në zonën Magenta. Një zgjedhje nga e cila ish-lojtari i Juventusit u detyrua të tërhiqet, jo sepse nuk i pëlqeu shtëpia.
Një kryetar bashkie tepër entuziast. Pasi mësoi lajmin, kryebashkiaku i Corbetta-s, Marco Ballarini, i njohur si tepër aktiv në rrjetet sociale, mendoi mirë të njoftonte ardhjen e Moratas për të gjithë. Me një postim dhe “story” në Instagram: “Sulmuesi spanjoll, nënshkrimi i ri i Milanit, po përfundon dokumentet për transferimin zyrtar në shtëpinë e tij të re (të mrekullueshme) në qytetin tonë”.
Një zgjedhje që nuk vlerësohet veçanërisht nga vetë lojtari. Përgjigja e Moratas. Sërish përmes Instagramit, sulmuesi iberik kritikoi zgjedhjen e kryebashkiakut të asaj që, në këtë pikë, nuk do të jetë më komuna e banimit të tij:
“I nderuar kryetar, faleminderit që keni shkelur privatësinë time – shkroi Morata – për fat nuk kam asnjë pronë, thesari im i vetëm janë fëmijët e mi, siguria e të cilëve është shqetësuar nga ju. Mendova se komuna e Corbetta-s mund të më garantonte njëfarë privatësie, por në vend të kësaj më duhet të ndryshoj menjëherë shtëpinë falë paaftësisë tuaj për të përdorur mediat sociale dhe për të mbrojtur qytetarët e saj”.