RTSH Sport Live

Kupa e FSHV-së ngre siparin e sezonit të ri

  • 21/09/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Kupa e FSHV-së ngre siparin e sezonit të ri
 Gjysmëfinalet e femrave, të premten, ato të meshkujve, të shtunën, finalet, të dielën

Rrjeta shqiptare bëhet gati për të ngritur siparin e sezonit të ri të veprimtarive kombëtare, që është Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit. Sipas formulës së adoptuar, kjo veprimtari, që është edhe uvertura e sezonit të ri, vë përballë njëra-tjetrës ekipet që e mbyllën sezonin e shkuar të rregullt në 4 vendet e para të renditjes. Kështu, tek femrat në çiftin e parë, që luhet të premten, duke nisur nga ora 17:00, kampionia në fuqi, Skënderbeu, përballet me Partizanin, ndërsa në çiftin tjetër, që luhet duke nisur nga ora 19:00, Barleti Volej sfidon Tiranën.

Siç dihet, kjo e fundit është edhe fituese në fuqi e këtij trofeu, teksa vajzat bardheblu të trajneres Amarilda Prenga, ndanë me korçaret 4 trofetë e sezonit të shkuar. Ndërkaq, tek meshkuj, që i luajnë gjysmëfinalet një ditë më pas, të shtunën, fituesja në fuqi, Tirana, përballet me Vllazninë, në takimin që nis në ora 17:00, ndërsa Partizani sfidon Erzenin, në ndeshjen që nis në ora 19:00.

Ndryshe nga ç’ndodhi tek femrat, tek meshkujt, skuadra e drejtuar nga trajneri Ben Sako, i fitoi të 4 trofetë e sezonit të shkuar të volejbollit shqiptar dhe do të marrë pjesë edhe në Kupat e Evropës këtë sezon. Kësisoj, Kupa e FSHV-së pritet të japë edhe një ide të përgjithshme për riformatimin e skuadrave, në krahasim me sezonin e shkuar dhe për pretendentet e sezonit të ri.