RTSH Sport Live

Kupa e Gjermanisë/ Kompani për ndeshjen me Leverkusen: Kemi zgjedhur këtë detyrë për ndeshje si këto!

  • 02/12/2024
  • |
  • Gjermani
Kupa e Gjermanisë/ Kompani për ndeshjen me Leverkusen: Kemi zgjedhur këtë detyrë për ndeshje si këto!

Vinsent Kompani është përballë një tjetër testi të vështirë. Bajerni i Mynihut mbyll nesër një cikël të ndezur ndeshjesh. I nisur javën e kaluar me PSG në Champions League e që më pas vazhdoi me transfertën në Dortmund ku Bajerni mori një pikë të vyer në Bundesligë ndërsa nesër mbyllet me kampionët në fuqi të Kupës së Gjermanisë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Leverkusen është njëra prej skuadrave më të mira të Gjermanisë. Unë mendoj se fakti që kalendari na ka rrezervuar disa ndeshje të mëdha radhazi nuk duhet që të jetë një justifikim për ne pasi të gjithë e dinë se në tilla ndeshje lodhja nuk ndihet. Mund të them pikërisht për këtë lloj vështirësie kemi zgjedhur këtë punë”, tha Kompani në vigjilje të ndeshjes së vlefshme për Kupën e Gjermanisë mes Bajernit të Mynihut dhe Bajer Leverkusen.

Fati vendosi përballë këto dy skuadra, të cilat janë ndeshur edhe një herë më parë këtë sezon në Bundesligë. Në atë takim Leverkusen udhëtoi në Mynih për të mos humbur dhe arriti që të largohej nga “Allianz Arena” pa u mposhtur. Formati i Kupës së Gjermanisë nuk i lejon më një skenar të tillë pasi siç dihet e kualifikuara për në të turin pasardhës duhet që të zgjidhet brenda 90’ ose 120’. I pyetur për mënyrën se si rivalët e tyre do të luajnë nesër mbrëma, Kompani nuk preferoi që të ndizte duelin duke komentuar: “Une nuk e di se si do të luajnë rivalët tanë. Unë di se ne do të futemi në fushë për të dhënë më të mirën”.