Kategoria Superiore ka startuar që në datën 20 gusht por tashmë është edhe radha e Kupës së Shqipërisë që do të nisë të enjten rrugëtimin e sezonit 2022-2023. Edicioni i 71-të i trofeut të dytë më të rëndësishëm të vendit nis me dy sfida paraeleminatore, Veleçiku-Murlani ku fituesi do të sfidojë më pas Tiranën dhe Devolli-Sopoti që më pas gjen Laçin.
Në turin e parë dhe të dytë konturohen grupet A dhe B, format i ndjekur gjatë sezoneve të fundit. Nuk ndryshon asgjë nga formula e vjetër pasi deri në çerekfinale kundërshtarët janë paracaktuar, ndërsa skema është ndërtuar në baze të renditjes së skuadrave sezonin e kaluar.
Fituesit në fuqi të Vllaznisë do të ndeshen në turin e parë me Flamurtarin ndërsa Kukësi gjen Labërinë, Partizani Orikun, e Teuta Luzin ndërsa mundësitë janë të mëdha që në çerekfinale Tirana të peshkojë Dinamon. Ndeshja finale e sezonit të ri të Kupës së Shqipërisë do të luhet në datën 28 maj.