Të mërkurën e të enjten do të zhvillohen ndeshjet e vajtjes për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Ndërsa në kampionat gara për katërshen e parë duket e mbyllur, në Kupë të gjithë nisen si të barabartë e me pretendime për më tej.
Kupa e Shqipërisë rikthehet në mesjavë me ndeshjet e çerekfinaleve. Katër gjysmëfinalistët do të dalin pas ndeshjeve me vajtje-ardhje, të cilat nisin të mërkurën, më 5 shkurt, me tre takimet e para. Ndeshjet e vajtjes mbyllen të enjten me takimin e Dinamos kundër Skënderbeut. Kupa ka favoritet e saj si çdo kompeticion, megjithatë tani mbetet i vetmi ku tetë pjesëmarrësit nisen në kushte të barabarta dhe secili ka pretendimet e veta për të shkuar më tej, ndoshta deri në fund.
Në kampionat, katër skuadrat që kryesojnë duket se e kanë blinduar pjesëmarrjen në fazën finale për titullin dhe vështirë se do të bezdisen nga ndonjë tjetër, ndërsa në Kupë mund të ndodhë gjithçka, edhe pse me dy ndeshje mundësitë për supriza janë më të vogla.
Gjithsesi, fakti që skuadrat e katërshes së parë të kampionatit kanë lënë pikë përballë skuadrave mbijetesës i bën më intriguese përballjet e kupës, përfshirë edhe atë midis Egnatias dhe Bylisit, edhe pse kampionët i kanë marrë të gjitha pikët kundër ballshiotëve në këtë sezon, gjë që të tjerët nuk e kanë bërë.
Të gjithë mund të marrin kurajë nga Kukësi i sezonit të kaluar, që në fund të kampionatit ra në Kategorinë e Parë, por në Kupën e Shqipërisë shkoi deri në finale, ku u mund vetëm me rezultat minimal nga Egnatia.