Laçi është skuadra e momentit në Abissnet Superiore. Edhe në javën e 21-të skuadra kurbinase mori atë që deshi, një fitore 3-0 përballë një skuadre si Kukësi. Një fitore e lehtë në pamje të parë, por nuk mendon kështu drejtori sportive i kurbinasve, Naim Halilaj, i cili ka analizuar gjithçka në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.
“Nuk është se nuk vuajtëm, çdo ndeshje ka vuajtje, por ne u futëm në fushën e lojës me mentalitetin e duhur dhe arritëm të fitojmë”.
“Kishim disa mungesa për këtë ndeshje, kishte dilemma, por lojtarët që kemi japin maksimumin. Kemi harmoni në grup, të gjithë lojtarët tanë rrinë bashkë, kjo e ka bërë ekipin të funksionojë mirë, presion nuk kanë”.
“Adeleke? Kishte një periudhë të gjatë pa luajtur, por tani është në rrugën e duhur, ka cilësi të mira, por presim akoma më shumë. Guindo? Sipas rekomandimeve të mjekëve presim të jetë në fushë këtë javë. Largimi i Lushkjes? E ka lënë pasardhësin e vet, është Ujka, jemi shumë të kënaqur prej tij”.
“Titulli? Tifozët besojnë te titulli, por ne i marrim ndeshjet një nga një, nuk e diskutojmë një gjë të tillë në klub. Lojtarët nuk kanë presion, luajnë siç duan. Mënyra se si erdhën golat ndaj Kukësit më dhanë një gëzim të jashtëzakonshëm”.