Lando Norris ka vendosur t’i mbetet besnik edhe për shumë kohë “MekLaren”-it, pasi arriti një marrëveshje të re shumëvjeçare me skuadrën britanike të Formulës 1. Piloti britanik zuri vendin e dytë në 6 gara të sezonit të shkuar, duke siguruar vendin e 6-të në renditjen e përgjithshme të pilotëve në 2023-shin, në atë që ishte sezoni i tij më i mirë që kur ai debutoi në Formula 1 me “MekLaren”-in në 2019-ën. Ky lajm vjen vetëm pak ditë pasi edhe Sharl Lëlerk nënshkroi një kontratë të re shumëvjeçare për ta zgjatur qëndrimin tek “Ferrari”. Kontrata aktuale e Norrisit skadonte në fund të 2025-ës, teksa pati nënshkruar për 4 vjet në shkurt të 2022-shit, por, pas një sezoni tjetër të kënaqshëm, të dy palët kanë vendosur ta zgjatin këtë bashkëpunim. Dhe pasi shoku i tij i skuadrës, Oskar Piastri, nënshkroi një marrëveshje të re shtatorin e skuar, marrëveshja e re e Norrisit do të bëjë që “MekLaren”-i të ketë një dyshe të pandryshuar pilotësh për të paktën 3 sezonet e ardhshme. “Është një ndjesi e bukur të vazhdoj të garoj për këto ngjyra,” - ka deklaruar Norrisi, i cili iua bashkuar familjes së “MekLaren”-it si pilot i ri në 2017-ën. “Unë jam rritur me “MekLaren”-in dhe ndjehem në shtëpi këtu dhe kjo skuadër është për mua një familje”, - vijoi ai. - “Rrugëtimi ka qenë deri tani mjaft interesant, kemi patur uljet dhe ngritjet tona, por sezonin e shkuar dëshmuam dëshirën për të konkurruar në radhët e para të garave.” Skuadra e “MekLaren”-it shpalosi ngjyrat e reja më fillimi të këtij muaji dhe më 14 shkurt do të prezantojë edhe makinën e re për 2024-ën në Silverstuon, përpara se t’i drejtohet Bahreinit për testet parasezonale, që nisin më 21 shkurt. FORMULA 1 LANDO NORRIS RINOVON KONTRATËN Britaniku nënshkruan një marrëveshje të re shumëvjeçare me “MekLaren”-in
Lajmet e fundit
Formula 1, edhe 7 vite në Monza
28/11/2024