RTSH Sport Live

Lara Colturi, italiania në skitë shqiptare

  • 28/10/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Lara Colturi, italiania në skitë shqiptare
Talentja 16-vjeçare është prezantuar në Tiranë dhe priten rezultate të larta ndërkombëtare

Lara Colturi, talenti 16-vjeçar i skive italiane, tanimë ka marrë përsipër të përfaqësojë Shqipërinë. Pasi ka bërë mirë në disa aktivitete në Amerikën e Jugut, ndërsa së fundmi ishte dhe në Kupën e Botës në Austri, Collturi është prezantuar në Shqipëri, atje ku ka qenë përfaqësuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Skive dhe të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Lara Collturi është e bija e Daniela Ceccarellit, medaliste e artë në Lojërat Dimërore në vitin 2002.

 “Gjithçka ka ardhur nga një bisedë mes meje e Elvis në Kampionatin Botëror në Kortina. Dëgjoja projektet e tij për zhvillimin e skive në Shqipëri dhe duke parë edhe sportistët, të cilët stërviten në Itali, pikërisht në pistat ku dhe ka lindur Lara, atëherë vendosëm që të nisnim këtë bashkëpunim. Besoj se gjithçka do të jetë në udhën e duhur për të arritur rezultatet e duhura”.

Lara Colturi do të jetë skiatorja e parë e huaj femër, që do të përfaqësojë Shqipërinë, ndërsa objektivat janë të mëdha jo vetëm për Kupat e Botës, apo Kampionatet Europiane e Botërore, por dhe Lojërat e ardhshme Dimërore, të cilat zhvillohen në Milano-Cortina më 2026.

 “Në realitet kemi vendosur të gjithë së bashku për të përfaqësuar Shqipërinë. Ishte gjë e bukur dhe miqtë e mi jo vetëm që nuk thanë gjë, por më mbështetën në këtë ide. Unë ndihem mirë dhe besoj se do ta përfaqësoj denjësisht Shqipërinë në evenimentet e radhës të skive”.

E në këtë mënyrë, skitë shqiptare hedhin bazat me Lara Colturin për të patur medalje ndërkombëtare, gjë e cila është vlerësuar edhe nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.

Ne – thotë Ylli – do të duhet të ndërtojmë disa pista skish, që të kemi sa më shumë talente në këtë sport, të tilla si Lara. Kemi disa projekte së bashku me Elvisin dhe kemi nisur të ftojmë investitorë që sa më shpejt të vendosim në jetë planet tona për zhvillimin e këtij sporti”.