RTSH Sport Live

Largimi i Cungut nga Kombëtarja U19, FSHF: Ndarje konsensuale

  • 15/05/2023
  • |
  • Kombëtarja
Largimi i Cungut nga Kombëtarja U19, FSHF: Ndarje konsensuale
Sipas FSHF-së, Cungu e ka pasur të pamundur t’i përgjigjet kriterit ku të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave duhet të jenë “full time” të pranishëm në zyrat e Federatës

Armando Cungu nuk është më trajner i Kombëtares U19, vendim i marrë gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që sot FSHF ka sqaruar se si qëndron e vërteta për këtë lëvizje. Sipas institucionit më të lartë të futbollit në vend, trajneri në fjalë e kishte të pamundur t’i përgjigjej kriterit ku të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave duhet të jenë “full time” të pranishëm në zyrat e Federatës, duke hequr dorë nga angazhimet e tjera.

Njoftimi i FSHF-së:  

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se Armando Cungu nuk do të jetë më trajner i Kombëtares U-19 dhe se përfundimi i bashkëpunimit ka ardhur me konsensus palëve.

Ky vendim ka ardhur si rrjedhojë e strategjisë së re që është duke u implementuar nga Departamenti Teknik në Federatën Shqiptare dhe trajneri e ka pasur të pamundur t’i përgjigjet kriterit ku të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave duhet të jenë “full time” të pranishëm në zyrat e Federatës dhe të mos kenë impenjime të tjera profesionale.

Trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë për detyrë të punojnë ngushtë me stafet e tyre teknike çdo ditë të javës për të ndjekur e monitoruar talentet dhe të organizojnë seleksionime e grumbullime. Gjithashtu, trajnerët duhet të kenë një bashkëpunim të përditshëm me kolegët dhe stafet e ekipeve të tjera të moshave dhe me Drejtorinë Teknike të FSHF-së.

Federata Shqiptare e Futbollit gjen rastin të falënderoj Armando Cungun për punën që ka bërë në drejtimin e ekipit Kombëtar U-19 dhe i shpreh vlerësimet maksimale për seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin që ka treguar në drejtimin e skuadrës kuqezi.

Ndryshimet në ekipet kombëtare të moshave

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se do të ketë disa ndryshime në stafet e ekipeve Kombëtare të moshave U-15, U-17 dhe U-19. Trajneri i Kombëtares U-15 do të vazhdojë të jetë Armand Damo, i cili do të jetë përgjegjës edhe për grup-moshën U-14.

Kombëtarja U-17 do të drejtohet në vazhdimësi nga trajneri Ardi Behari, i cili më parë ka drejtuar ekipin kuqezi U-18 dhe do të jetë gjithashtu përgjegjës edhe për grup-moshën U-16.

Ndërkaq, trajneri Ervin Bulku, i cili deri tani ka drejtuar ekipin U-17 sezonin e fundit dhe që arriti të kalonte deri në fazën Elite Round të Europianit për moshën U-17, do të marrë drejtimin e Kombëtares U-19 dhe do të jetë përgjegjës për grup-moshën U-18.

Kombëtarja U-21 do të vazhdojë të drejtohet në sezonin e ri nga trajneri Alban Bushi dhe i njëjti staf teknik.