RTSH Sport Live

Leclerc i shqetësuar për të ardhmen, takohet dhe kërkon siguri nga presidenti i Ferrari-t

  • 11/03/2023
  • |
  • Formula 1
Leclerc i shqetësuar për të ardhmen, takohet dhe kërkon siguri nga presidenti i Ferrari-t

Gëzimi dhe buzëqeshjet e shfaqura në prezantimin e Ferrari SF-23 duken tashmë të harruara. Gara e parë në Bahrein la një pasojë të rëndë. Kokëkuqja italiane është më larg nga Red Bulls sesa në fillim të vitit 2022, ndryshe nga ajo që u paralajmërua disa javë më parë. Më i mërzitur është Charles Leclerc, nga zhgënjimi që nuk mund të konkurronte me rivalin e tij Max Verstappen, përtej dështimit të njësisë së energjisë që i kushtoi atij daljen nga gara kur ishte i treti.

Pas kthimit nga Sakhiri, piloti nga Monako ka kërkuar një takim me Presidentin John Elkann në Maranello, për të diskutuar mbi situatën. Ai është i shqetësuar sepse synimi për titullin botëror rrezikon të kthehet në një tjetër dështim. Dhe kjo perspektivë është e papranueshme për pilotin e Ferrari-t, i cili priste një hap përpara pas vendit të tij të dytë në Kampionatin e fundit Botëror.

Leclerc ka dashur të ndante këndvështrimin e tij me Elkann, me të cilin ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të merrte siguri. Charles dëshiron të fitojë me Ferrarin. Ai është lidhur me të kuqtë nga një dashuri e thellë që kur ishte fëmijë dhe është mirënjohës për atë që ka marrë, sepse Akademia e Pilotit në Maranello ka qenë thelbësore për rritjen e tij dhe promovimi në ekipin e parë ka bërë që karriera e tij të ngrihet.

Rikthimi i ekipit në triumf është një mision nga i cili, ai nuk do të heqë dorë. Megjithatë, pas katër sezonesh te Ferrari, djaloshi i mrekullueshëm ndjen se koha po ikën. Shqetësimi i Leclerc ishte tashmë i dukshëm gjatë testeve parasezonale. Ai e kuptoi se diçka nuk shkonte, krahasuar me parashikimet optimiste të testeve të simulatorit, dhe të njëjtën përshtypje pati edhe shoku i tij i skuadrës Carlos Sainz.

Gara nxori në dritë ankthet e tyre. SF-23 tregoi një shkallë të lartë të degradimit të gomave, një simptomë e problemeve komplekse për t'u zgjidhur. Besueshmëria një tjetër fakt shqetësues. A do të ndryshojë ky peisazh në Jeddah? Është e vështirë të besohet, pavarësisht faktit se makina vlerësohet me shpejtësi maksimale të shkëlqyer dhe pista arabe nuk është një pistë që streson gomat e pasme.

E fillimi nuk mund të ishte më i vështirë për drejtorin e ri të ekipit Frederic Vasseur. Francezi ka për detyrë të riorganizojë një ekip që sapo ka përjetuar një tërmet me largimin e 4 drejtuesve dhe që i ka munguar titulli i pilotëve prej 15 vitesh. B.K.