RTSH Sport Live

Leverkusen, Xabi Alonso: Atalanta, kundërshtari më i vështirë në Evropë

  • 15/05/2024
  • |
  • UEFA Europa League
Leverkusen, Xabi Alonso: Atalanta, kundërshtari më i vështirë në Evropë
Trajneri spanjoll, një javë nga finalja e Europa League: “Duam të fitojmë gjithçka”

Xabi Alonso tashmë po shikon drejt finales së Europa League kundër Atalantës, të planifikuar për të mërkurën e ardhshme në Dublin: “Atalanta është një top skuadër, kundërshtari më i vështirë në Evropë, me një supertrajner – fjalët e trajnerit të Bayer Leverkusen - Do të duhet të jemi në maksimumin tonë për të pasur një shans, sepse për mua ata janë një ekip unik për momentin, kanë të njëjtin menaxher prej disa vitesh, kanë lojtarë që stërviten me të prej vitesh dhe kanë një ekip me ide të qarta se si të luajnë futboll. Kanë pasur disa sezone pozitive, por ky është ndoshta sezoni i tyre më i mirë: ka shumë gjëra për të mësuar nga një ekip si ky”.

Pasi lavdëroi kundërshtarët e tij, trajneri spanjoll e bëri të qartë se cilat janë objektivat: "Dua të fitoj gjithçka, si Europa Leaguen ashtu edhe Kupën e Gjermanisë. Sigurisht, të kesh fituar Bundesligën, na lejon të kemi mendjen e qartë për dy finalet javën e ardhshme. Titulli im i parë si trajner ishte Bundesliga dhe është super, por një në Evropë do të ishte edhe më i veçantë”.

Së fundi për vendimin për të qëndruar te Leverkusen: "Për shkak se jam mirë, jam i lumtur. Ky është një ekip i mirë dhe klubi më dha një mundësi të madhe kur nuk kisha bërë asgjë ende si trajner. Dua të respektoj këtë besim pas një viti të mirë, në të ardhmen do ta shohim, por tani jam i lumtur këtu”.