RTSH Sport Live

Liga e Europës, Kumbulla i jep zemër Romës: Më të bashkuar se kurrë

  • 08/04/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Liga e Europës, Kumbulla i jep zemër Romës: Më të bashkuar se kurrë
Roma do të përballet me Ajaksin, ndërsa mbrojtësi kuqezi do të mungojë për shkak dëmtimi

Është larg fizikisht, por me zemër është aty. Dëmtimi i meniskut ka bërë që të mungojë në ndeshjen kundër Ajaks, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Europës, por Marash Kumbulla nuk nguron të mbështesë skuadrën e tij, Romën, duke shprehur gjithë euforinë e tij me një postim në Instagram.

Mbrojtësi kuqezi ka bërë postimin e tij: “Më të bashkuar se kurrë, si ekipi që jemi. Sonte zemra ime do të jetë aty me ju”. Roma do të zbresë sonte, 21:00, në fushën e lojës për tu përballur me Ajaksin, në ndeshjen e parë çerekfinale, e cila do të transmetohet në RTSH.

Kumbulla u dëmtua në ndeshjen e përfaqësueses kuqezi kundër Andorrës. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, ku në fillim u duk një shqetësim i vogël dhe mbrojtësi kuqezi arriti të përfundojë ndeshjen. Por më pas situata u qartësua dhe ishte shumë më serioze se sa dukej në fillim.

Kombulla nuk do të operoher për problemin në menisk, do të ketë një terapi të veçantë për rikuperimin e tij, por sezoni për të ka përfunduar. Një problem më shumë për skuadrën e Romës, e cila në këtë sezon ka vuajtur shumë mungesën e lojtarëve për shkak dëmtimesh.