RTSH Sport Live

Liga e Europës: Roma, fitore me përmbysje në shtëpinë e Ajaksit

  • 08/04/2021
  • |
  • UEFA Europa League
Liga e Europës: Roma, fitore me përmbysje në shtëpinë e Ajaksit
Golit të Klaassen(A), iu përgjigj Pellegrini (R) dhe Ibanez (R), takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH 1

Një nga duelet më të spikatura të ndeshjeve të para të çerekfinaleve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Europës, ka qenë ai që u luajt në Stadiumin “Johan Krojf Arena”, midis Ajaksit dhe Romës, që përfundoi me fitoren 2-1 të skuadrës italiane. Kjo ishte edhe ndeshja që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1.

Pjesa e parë ka qenë kryesisht e barazpeshuar, me Romën më të rrezikshme në çerekorën e parë, me dy raste të volitshme për të shënuar, por pa ia arritur dot të gjejë rrugën e rrjetës. Ndërkaq, çerekora e fundit ka folur për holandezët, të cilët rrezikojnë fillimisht dhe më pas arritën të gjejnë edhe rrugën e rrjetës me anë të Klaassen 39’, të ndihmuar edhe nga një hezitim i mbrojtjes italiane.

Kështu, pjesa e parë është mbyllur me epërsinë minimale të Ajaksit, që do të ketë mundësi ta dyfishjojë këtë epërsi në minutën e 53-të, por Dushan Tadiç gabon nga pika e bardhë e 11-metërshit, duke e dërguar topin në duart e portierit mik. Dhe vetëm 4 minuta më pas, Roma i ndëshkon vendasit me Pellegrini 57, duke barazuar shifrat edhe falë një gabimi të portierit vendas.

Gjysmëora e mbetur e lojës do të shohë holandezët më kërkues dhe këmbëngulës, por me italianët që kërkonin ta godisnin kundërshtarin me kundërsulme apo goditje të lira dhe goditje këndi. Dhe nga një e tillë ka ardhur edhe goli i dytë për Romën me autor Ibanez 87’, që merr kështu një fitore të vyer 2-1, duke e bërë më komode ndeshjen e kthimit në shtëpi.

Në sfidat e tjera, Mançester Junajtid ka arritur të marrë një fitore 2-0 në transfertën me spanjollët e Granadas. Rashford në pjesën e parë dhe Bruno Fernandes me penallti në fund të takimit janë autorët e golave. Një gol i Moreno me penallti në fundin e pjesës së parë i ka dhënë fitoren 1-0 Vilarealit në fushën e Dinamos së Zagrebit. Zhgënjen Arsenali si skuadër pritëse, vetëm 1-1 përballë Slavias së Pragës. Goli i Pepe 86’ u barazua nga Holes 90’+4.