RTSH Sport Live

Liga e Kampioneve: Shkëndija sfidon kampionët e Sllovenisë

  • 15/06/2021
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Liga e Kampioneve: Shkëndija sfidon kampionët e Sllovenisë
Dy derbi shqiptarësh në fazën e parë të Ligës së Konferencës

Shkëndija e Tetovës përballë Muras. Ernest Gjoka dhe skuadra e tij që pak javë më parë u shpall kampione e Maqedonisë së Veriut, sfidojnë në raundin e parë të UEFA Champions League, kampionët e Sllovenisë. Një short i pritshëm për kuqezinjtë që kanë si mision kualifikimin në fazën e grupeve të Champions apo Europa League edhe pse që në raundin e parë duhet të marrin mirë masat pasi do të kenë përballë një skuadër të ndërtuar me emra të talentuar që gjatë gjithë sezonit të kaluar ka bindur duke lënë pas emra edhe më të kuotuar në Slloveni.

Sfida e parë do të luhet në fillim të Korrikut në Maqedoninë e Veriut dhe ajo e kthimit në 13 ose 14 në Slloveni. Dy derbi tërësisht shqiptarë përsa i përket Ligës së Konferencës. Shkupi do të presë skuadrën kosovare të Llapit në raundin e parë. Një duel shumë interesant ku skuadra nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut mbetet favorite. Në këtë fazë edhe Drita gjen një skuadër shqiptare. Ekipi nga Gjilani do të sfidojë Decicin e Tuzit që siguroi për herë të parë në histori një biletë europiane. Një tjetër skuadër shqiptare e Maqedonisë së Veriut është Struga që gjen në këtë fazë Liepajan e Letonisë.