RTSH Sport Live

Liga e Kombeve, edhe në futbollin e femrave

  • 30/11/2022
  • |
  • Kombëtarja
Liga e Kombeve, edhe në futbollin e femrave
Shqipëria në Ligën C me shansin për t’u ngjitur më lart, starti në shtator 2023

Liga e Kombeve është formati më i ri, i cili do të aplikohet nga UEFA edhe në futbollin e femrave, që është i vlefshëm më pas dhe për kualifikueset e Kampionatit Europian 2025 dhe atë Botëror 2027. E në të do të marrë pjesë dhe Shqipëria e Armir Grimës, që do të jetë në Ligën C, ndërsa shorti hidhet më 23 prill 2023.

Ndarja nëpër Liga e 51 skuadrave është bërë dhe mbi bazën e renditjes Botërore, atje ku Shqipëria është e 33-ta. Në Ligën A do të jenë 16 skuadra, katër grupe nga katër. Po 16 ekipe dhe në Ligën B, përsëri me katër grupe me nga katër ekipe, kurse në Ligën C 19 ekipe, atje ku do të jenë katër grupe me nga katër ekipe dhe një me tre skuadra. Nëse arrihet kualifikimi në Ligën B do të thotë që Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në kualifikueset e Kampionatit Europian 2025 dhe të Botërorit 2027. Liga e Kombeve i nis ndeshjet në shtator 2023 dhe i mbaron në mars 2024 e menjëherë nisin kualifikueset e Kampionatit Europian 2025, që do të thotë se do të luhet deri në tetor 2024. Janë gjithsej për t’u luajtur 12 ndeshje në harkun kohor të 13 muajve, gjithnjë nëse Shqipëria do të arrijë të kalojë në Ligën B dhe të shkojë më tej në kualifikueset e Europianit. Madje shtohen mundësitë për të qenë në finalet e Kampionatit Europian 2025, sepse të parat e Ligës B së bashku me të dytat më të mira duke u kualifikuar direkt për në Ligën A shkojnë në finale.

Gjithsesi e rëndësishme është që kombëtarja është në aktivitet, ndërsa mungon që nga 1 shtatori 2022, kur u mund nga Polonia, 2-1 në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”.