RTSH Sport Live

Liga e Konferencës, nis numërimi mbrapsht

  • 23/05/2022
  • |
  • Futboll Bota
Liga e Konferencës, nis numërimi mbrapsht
RTSH zbulon kalendarin e mbërritjes së finalistëve, UEFA, video-promovim për Tiranën

Teksa orët kalojnë, gjithnjë e më tepër përvijohet edhe kalendari i lëvizjeve të dy ekipeve finaliste të edicionit të parë të veprimtarisë së 3-të të klubeve të kontinentit, Ligës së Konferencës. Roma dhe Fejënordi u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e së mërkurës dhe RTSH ka mësuar edhe oraret se kur dy ekipet do të mbërrijnë në kryeqytetin shqiptar. Kështu, Roma do të niset pasdreke dhe do të zbarkojë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, më 24 maj, në ora 16:40, për të udhëtuar drejt kryeqytetit dhe vjen direkt e në stadium, për të bërë atë që quhet “official ëalk”, ecjen në fushën e blertë dhe, më pas, në konferencën për shtyp.

Ndërkaq, Fejënordi mbërrin në Shqipëri 24 maj, por më herët, teksa zbarkon në Rinas midis orës 14:00 dhe 14:30. Holandezët do ta marrin më shtruar, teksa kanë planifikuar një seancë stërvitjeje në ora 19:30 në Stadiumin “Arena Kombëtare”. Natyrisht, gjithçka do të zhvillohet në masa të forta sigurie, teksa, nëse nuk je i akredituar nga UEFA për ndeshjen, nuk hyn dot as në stadium, as në konferencat për shtyp e as për të ndjekur stërvitjet, ashtu sikundër nuk lejohet as prania e kamerave.

Ndërkaq, organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, ka shpërndarë të hënën në profilin e Ligës së Konferencës në rrjetet sociale një video të shkurtër ku promovohet kryeqyteti shqiptar si destinacioni i parë i edicionit të parë dhe historik të veprimtarisë më të re të klubeve të Evropës.