RTSH Sport Live

Liga e Konferencës, Struga në turin e tretë

  • 01/08/2023
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Liga e Konferencës, Struga në turin e tretë
Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ka fituar 4-3 në Podgoricë ndaj Buduçnost

Struga ka arritur të kualifikohet për herë të parë në turin e tretë të Ligës së Konferencës pas fitores 4-3(rezultati i përgjithshëm 5-3) të arritur në Podgoricë përballë Buduçnost. E themeluar vetëm para 8 vitesh, skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro, pasi fitoi titullin kampion në Maqedoninë e Veriut, po tregon vlerat edhe në Europë.

Në Podgoricë, megjithatë e pa veten në disavantazh pas 7 minutash lojë, gol i Đuričković, por ishte Radeski që vendosi barazpeshën katër minuta më vonë. Në fundin e pjesës së parë, edhe njëherë Radeski dhe Adzic nga ana tjetër bënë që pjesa e parë të mbyllej në barazim 2-2.

Në pjesën e dytë Radeski në minutën e 74-ët kompletoi tripletën personale, ndërkohë që më parë kishte shënuar edhe Ibraimi 66’. Vendasit ngushtuan diferencën në minutën e 82-të me Sekulovic, por kjo nuk e pengoi aspak Strugën që të festojë kualifikimin. Në turin e tretë e pret Hesperange(Luksemburg).