RTSH Sport Live

Liga “Gjergj Kastrioti” shpall fituesit

  • 02/03/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Liga “Gjergj Kastrioti” shpall fituesit
Skënderbeu për femra dhe Erzeni për meshkuj triumfojnë në Prishtinë

Skënderbeu për femra dhe Erzeni për meshkuj janë fituesit e edicionit të dytë të Ligës “Gjergj Kastrioti” në volejboll, finalet e të cilit, të mërkurën, janë luajtur në Pallatin e Sportit në Prishtinë. Skënderbeu i Orlando Kojës ka patur përballë Skënderajn, teksa pas një beteje prej rreth dy e orë gjysëm ka dalë fitues 3-2. 25-22 seti i parë për Skënderajn. Por korçaret janë kundërpërgjigjur menjëherë, ndërsa setin e dytë e kanë fituar në pikët shtesë, 26-24. Edhe një herë tjetër reagon Skënderaj, që në të tretin triumfon 25-21. Me të njëjtin rezultat fitojnë korçaret në setin e katërt, ndërsa janë të papërmbajtshme në setin final duke triumfuar 15-9. Hera e dytë që Skënderbeu del fitues në Ligën “Gjergj Kastrioti”, ndërsa një gjë të tillë e pat bërë edhe sezonin e kaluar kur në finale pat mundur Tiranën. Lojtarja më e mirë e ndeshjes ishte amerikania e Skënderbeut, Uilliams, ndërsa trofetë janë shpërndarë nga personalitetet më të larta të Federatave të Volejbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, Komiteteve Olimpike të dy vendeve, apo dhe shtetarë e ambasadorë. Madje Klonarda Nezajt i është dorëzuar dhe titulli Ambasador i Volejbollit në Kosovë.

Ndërkohë për meshkuj më e shpejtë fitorja e Erzenit, thellësisht 3-0, me setet 25-18, 25-23 dhe 25-21. Lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Asmend Kula, ndërsa në mënyrë ceremoniale është dhe shpërndarja e trofeve për të dy ekipet. Tanimë radhën e ka Kupa e Shqipërisë në volejboll, teksa për femra do të jenë përballë Skënderbeu e Partizani, kurse për meshkuj, Tirana dhe Erzeni, ndeshje të cilat të dielën do të luhen në Pallatin e Sportit në Farkë dhe do të vijnë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.