RTSH Sport Live

Lirim Zendeli: Pista në Shqipëri, shans historik

  • 03/02/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Lirim Zendeli: Pista në Shqipëri, shans historik
Piloti shqiptar rrëfen për RTSH-në planet dhe synimet për të ardhmen

Lirim Zendeli është gati për t’u rikthyer në pistat e rëndësishme të garimit dhe, duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ai zbulon planet e tij për të ardhmen e afërt.

 “Këtë vit unë do të garoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në garat “Indi Pro”. Kjo është një fazë drejt garës të famshme “Indi 500”, por edhe një mundësi për të shkuar në Formula 1. Ne kemi punuar fort në këtë drejtim dhe më duhet të falënderoj promotorët e mi, agjencinë “MIM”, sponsorët, por edhe njeriu kryesor në këtë mision, Salvatore Gandolfon. Ne kemi punuar për thuajse një vit për të ardhur këtu ku jemi, por është kënaqësi të jem tani më pranë garimit dhe jam shumë i lumtur”.

Por, sa e vështirë do të jetë ëndrra e Formulës 1 për pilotin 23-vjeçar?

 “Me një plan të mirë, me një projekt të mirë, gjithçka është mundur. Gjërat në jetë janë të vështira, por nëse e planifikon gjithçka përpara, gjithçka është e mundur. Për mua, vitin e shkuar u duk se po mbaronte gjithçka, por agjencia ime më ndihmoi mjaft të dal nga ajo gjendje dhe tanimë kemi hartuar një plan mjaft të mirë për të ardhmen dhe jam i sigurt që do të funksionojë. Pilotët e garave duhet të jenë të guximshëm dhe unë besoj që jam mjaftueshëm i guximshëm dhe jam shumë i sigurt në vetvete që do të funksionojë për ne”.

Një pistë e re garash pritet të ndërtohet në Elbasan brenda pak vitesh dhe për pilotin e lindur në Gjermani, por me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, ky është një shans historik dhe, këtë emocion, ndonëse me pak vështirësi, e përcjell në gjuhën shqipe.

 “Është një rast mjaft i mirë për ne, sepse në të gjithë Ballkanin nuk kemi patur një Çmim të Madh, një garë të Formulës 1. Tanimë e kemi mundësinë që ta bëjmë këtë me pistën që do të ndërtohet në Shqipëri. Për mua si shqiptar, por edhe si një pilot shqiptar, është një kënaqësi dhe mezi po pres që ajo të mbarojë dhe të kemi mundësi të garojmë këtu”.