RTSH Sport Live

Luiza Gega, kampione dhe rekordmene Ballkani

  • 20/06/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Luiza Gega, kampione dhe rekordmene Ballkani
15’16”47 rezultati i fiksuar në 5000 metra në Krajovë të Rumanisë, e dyta e artë për të

Luiza Gega mbetet simboli i atletikës shqiptare, teksa të dielën në Krajovë të Rumanisë, gjithnjë në Kampionatin Ballkanik të të rriturve, ka dhënë medaljen e dytë të artë. E jo vetëm kaq, por dhe rekord kombëtar dhe njëkohësisht rekord ballkanik. Gjithçka ka ndodhur në 5000 metra, atje ku Gega, në një diferencë të madhe me kundërshtaret, e ka nisur dhe e ka mbyllur e vetme garën. 15’16”47 rezultati i saj, ndërsa ka qenë gati 40 sekonda me vendin e dytë, apo e thënë ndryshe një xhiro përpara kundërshtareve.

Rekordi kombëtar në 5000 metra, i cili mbahej po prej saj që nga 10 maji i këtij viti, kjo në Kupën e Shqipërisë në Shkodër, ishte 15’22”18. E tanim është përmirësuar me gjashtë sekonda. Madje ka thyer dhe rekordin ballkanik në 5000 metra, teksa i mëparshmi ishte 15’27”33.

E në kushtet kur pjesëtarët e tjerë të delegacionit kuqezi nuk kanë lënë asnjë gjurmë në Kampionatin Ballkanik, dy medaljet e arta të Luiza Gegës, si dhe rekordi kombëtar e ballkanik në 5000 metra janë më shumë se gjithçka. Tashmë atletja do të vazhdojë përgatitjet në Dardhë për Lojërat Mesdhetare në Oran, ndërsa udhëton më 27 qershor për të garuar më 1 korrik në 3000 metra me pengesa, gjithnjë me shpresën për medalje të arta.